27.3 C
New York
Friday, June 20, 2025

Buy now

Hasani: Shqipëria mbështet politikisht Izraelin dhe të drejtën për vetëmbrojtje

- Advertisement -

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, tha se Shqipëria e mbështet qartazi Izraelin dhe të drejtën e këtij vendi për t’u vetëmbrojtur.

Në një deklarim në emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV, Hasani e quajti Iranin një vend ku regjimi i Ajatollahëve shkel angazhimet për mospërhapjen e armëve bërthamore.

“Shqipëria është qartazi në mbështetje politike të Izraelit, të të gjithë vendeve që mendojnë se regjimi i Ajatollahëve nuk duhet të rrisë kapacitete bërthamore dhe duhet të respektojë angazhimet e marra në mospërhapjen e armëve bërthamore. Është regjim që i thyen këto angazhime. Ne e dënojmë fuqimisht mënyrën se si regjimi i Ajatollahëve po vepron. Ne mbështesim shtetin e Izraelit në të drejtën për tu mbrojtur.

Ne ushtrojmë presionin politik të gjithë sëbashku ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran dhe padyshim këto qëndrime do të vijojnë të jenë konseguente në raport me atë që diplomatët tanë bëjnë”, deklaroi Hasani.

I pyetur nga moderatori Ylli Rakipi lidhur me konfliktin tjetër në Gaza dhe anën tjetër të medaljes, ku një numër i konsiderueshëm civilësh, përfshirë fëmijë, janë vrarë, Hasani dha një përgjigje të shkurtër duke deklaruar se Shqipëria është një vend paqësor që mbështet paqen.

“Shqipëria gjithmonë ka treguar që është vend paqësor dhe mbështet paqen. Shqipëria ka treguar se e ka mbështetur zgjidhjen e dy shteteve, në konfliktin e Izraelit me palestinezët. Shpresojmë padyshim që këto realitete të mbarojnë sa më shpejt”, tha Hasani.

Lidhur me ndonjë rrezik të mundshëm që mund t’i kanoset Shqipërisë nga Irani, i cili në të shkuarën ka kryer sulme kibernetike ndaj vendit tonë, por edhe në kontekstin kur ne strehojmë opozitën e MEK, Hasani dha këtë përgjigje:

“Ne jemi vend demokratik. Respektojmë të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara. Kemi treguar se jemi në gjendje të strehojmë pjesë të opozitave të ndryshme, vende që jetojnë në diktaturë. Do të vijojmë të përcjellim vlerat demokratike. Jemi paqësor dhe nuk synojmë askënd. Kemi të bëjmë me realitete që shpresojmë t’i kemi të tilla. Kemi qenë shënjestër e sulmeve kibernetike nga regjimi i Ajatollahëve por kemi qenë në gjendje që në bashkëpunim me partnerët tanë, ti kthejmë mbrapsht këto sulme dhe të mbrojmë infrastrukturën”.

Të ngjashme

Të fundit