Hasani: Shpërndarja e Kuvendit nga presidentja, përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues

- Advertisement -

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në një interviste për gazete Nacionale, ai ka thënë veprimi i presidentes Osmani paraqet përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, përpjekja më brutale deri tash pas pavarësisë së vendit

Intervista e plotë:

NACIONALE: Z. Hasani, sot presidentja dekretoi shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje? A është në përputhje me Kushtetutën ky dekret?

Hasani: Vetëm kur ekziston pajtimi i të gjitha partive politike mund të vijë deri te shpërndarja e Kuvendit si rrjedhojë e shkeljes së afatit tridhjetëditor. Asnjëherë ndryshe. Kështu ka ndodhur edhe vitin që shkoi, kur Kosova shkoi në zgjedhje pa Kuvend të konstituuar; pati një pajtim të heshtur të të gjithëve. Kjo siç u bë sot e ndryshon formën e pushtetit shtetëror nga sistemi parlamentar në sistem presidencial. Këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm amendamenti kushtetues.

Mënyra si u bë kjo paraqet përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, përpjekja më brutale deri tash pas pavarësisë së vendit.

NACIONALE: A besoni se VV-ja do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese këtë dekret?

Hasani: Patjetër që ky dekret arbitrar duhet të kontestohet dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e fundit.

Nuk duhet të lejohet ky arbitraritet dhe kjo papërgjegjësi totale ndaj Kushtetutës.

Mbrëmë, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor.

Gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues.

NACIONALE: A duhet të diskutohet për datën e zgjedhjeve para vendimmarrjes së Kushtetueses?

Hasani: Dekreti i sotëm është tërësisht jokushtetues dhe prek themelet e formës së pushtetit shtetëror. Roli dhe pozita e Presidentit të Republikës është e qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe ai nuk është sistem presidencial.

NACIONALE: Si e keni parë bazueshmërinë kushtetuese në ankesën e LVV-së dhe kërkesën për masë të përkohshme të afateve për zgjedhjen e presidentit?

Hasani: Kërkesa e VV-së nuk është çështje kushtetuese dhe nuk ka objekt për shqyrtim kushtetues. Objekt shqyrtimi kushtetues mund të jetë vetëm dekreti skandaloz dhe tërësisht arbitrar e i papërgjegjshëm i zonjës Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, sepse me të janë tronditur themelet e rendit kushtetues më shumë dhe më thellë se çdoherë tjetër nga 17 shkurti 2008 e deri më sot.

NACIONALE: çfarë pasojash juridike dhe kushtetuese ka moszgjedhja e presidentit dje?

Hasani: Asnjë pasojë juridike nuk ka mund të prodhojë dhe nuk prodhon shkelja e afatit tridhjetëditor.

Nacionale: Nëse gjatë kësaj kohe, gjatë periudhës 60-ditore, do të zgjidhej presidenti, kjo zgjedhje a do të ishte në përputhje me Kushtetutën?

Hasani: Jo. Sigurisht që jo. Por pasoja juridike nuk do të prodhonte, veçanërisht jo pasojën e dhënies së të drejtës Presidentit të Republikës për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës. Asnjëherë këtë të drejtë nuk e ka Presidenti i Republikës kur shkelet afati tridhjetëditor. Asnjëherë!

Nacionale: E gjithë çështja po sillet rreth nenit 82 dhe 86 të Kushtetutës. Disa juristë po e interpretojnë nenin 82, kurse disa nenin 86. Cili prej këtyre neneve vlen në këtë rast dhe pse?

Hasani: Asnjëri! Ata që flasin mbi bazën e këtyre dy neneve qartë shihet që nuk i kanë lexuar dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Të ngjashme

Të fundit