“Hap të shëmtuar” dhe “njollë të keqe në histori të institucioneve” e ka quajtur ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, veprimin e djeshëm të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për tërheqjen e një lënde të saj dërguar në Gjykatë Kushtetuese për rishikim kushtetues – dhe kjo me arsyen se një gjyqtar i kushtetuese, serbi Radomir Llaban, përbën kërcëni për sigurinë kombëtare sipas informatave të inteligjencës që i posedon ajo.
“Zonja Osmani dje mori një hap shumë të shëmtuar që unë jam i bindur që do të jetë një njollë e keqe për historinë e institucioneve të Kosovës në të ardhmen, për faktin se detyrë e saj është ruajtja e stabilitetit të institucioneve. Çfarë ndodhi është e kundërta,” tha Hasani për Euronews Albania.
“Osmani dje dha një arsyetim që ka për qëllim primar bllokimin ose paralizimin e vendimmarrjes së Kushtetueses, jo në rastin e saj por në rastin e ngërçit institucional lidhur me konstituimin e Kosovës. Kërkesa e saj ka qenë naive, e pabazuar, e pathemeltë,” shtoi Hasani.
“Ato që i ka thënë zonja Osmani kanë qenë valide edhe para një muaji. Nuk është dashur ta paraqesë kërkesën fare, sepse gjyqtari raportues ka rol formal për të përgatitur një raport. Në 70-80% të rasteve, raportet e gjyqtarëve ndryshohen”, argumentoi ai.
“Në bazë të kërkesës së hartuar nga Osmani, nuk mund të dëshmohet se është cenuar rendi kushtetues. Nëse po, atëherë duhet anuluar çdo vendim ku ai ka qenë anëtar. Ajo nuk mund ta bëjë këtë. Pikërisht mënyra e veprimit të saj është shkatërrim i rendit kushtetues”, theksoi Hasani.