Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka reaguar pas dështimit të kandidaturës së Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit.
Ai ka thënë se mënyra e prezantimit të saj në sallën e Kuvendit ka qenë cinike dhe e turpshme, duke shtuar se reagimi i deputetëve, madje edhe me të qeshura, tregoi se Gërvalla nuk gëzon kredibilitet politik.
“Forma, reagimi, prezantimi ishin aq cinike… vetëm e qeshura në Kuvend ka treguar që është një lojë. Është një kandidate që nuk përfillet, një njeri pa kredibilitet, vetëm për ta bërë një injorim dhe një diskreditim politik të saj para deputetëve dhe opinionit”, tha Hasani në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai theksoi se Gërvalla nuk ka pasur mundësi të marrë vota nga opozita, sidomos nga PDK-ja, duke kujtuar qëndrimet e saj të vazhdueshme kundër partisë dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Tani, votimi dhe mosbotimi – ajo s’i mori votat natyrisht, sepse nuk ka një deputet që mund ta votojë i opozitës, sidomos i PDK-së me deklaratat e saj, ku gjatë gjithë kohës është shpreh kundër me fyerje, me injorime, me lingjime, por natyrisht pika kulmore e saj është ajo kur ka deklaruar për dëshmitë drejtpërdrejtë të UÇK-së në Hagë dhe kjo është e pa tejkalueshme dhe e papërballueshme për një ushtar ose një ushtare, për një deputet që i vlerëson vlerat e luftës dhe e sheh shtetin si rezultat i luftës sonë të UÇK-së”, tha Hasani.
Ai shtoi se kandidatura e Gërvallës ishte “një turp politik” dhe një përpjekje për të treguar “’ekzistencën’ e listës Guxo”.
Hasani gjithashtu përmendi me mirënjohje votën kundër Gërvallës nga deputetja Shqipe Pantina.
“Dalja e saj si kandidate ishte mjaft e turpshme, por edhe me iu tregu asaj listës Guxo që ‘ekziston’ kandidatja e juaj është e papërfillshme, e pavlerë – pavarësisht se kush është!. E vlerësoj edhe voton kundër nga deputetja Shqipe – ushtare e UÇK-së, bashkëshorte e shokut tim dhe korrektësinë e saj”, deklaroi deputeti i PDK-së./teve1.info/