Ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka kritikuar ashpër Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e akuzuar se ka marrë një rol politik dhe se, sipas tij, po mban anën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Hasani tha se Osmani ka humbur rolin unifikues që duhet ta ketë presidenti i vendit.
Sipas tij, presidentja është pozicionuar politikisht në mbështetje të VV-së dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Vjosa Osmani ka marrë rolin politik. Nuk po vepron si presidente që përfaqëson unitetin e qytetarëve të Kosovës. Ajo ka marrë një rol politik në mbështetje të Vetëvendosjes dhe i ka shkuar përshtati që të krijojë mundësinë për të siguruar edhe një mandat pesëvjeçar. Ky është një servilizëm i plotë ndaj VV-së dhe Albin Kurtit, jo në interes të qytetarëve të Kosovës,” deklaroi Hasani në Tëvë1.
Ai shtoi se Osmani, si juriste, ka bërë shkelje duke u pozicionuar politikisht.
“Ajo është juriste dhe e di shumë mirë se presidenti nuk ka të drejtë të mbajë anën politike. Edhe partitë e tjera kanë juristë shumë të mirë. Ajo ka bërë shkelje kur ka mbajtur anën politike dhe ka humbur besueshmërinë. Nuk është më e besueshme për qytetarët e Kosovës,” theksoi ai.
Hasani madje tha se, për të ruajtur kredibilitetin moral dhe politik, Osmani duhet të japë dorëheqje.
“Nëse do të kishte kredibilitet moral dhe politik, ajo duhet të largohet. Të thotë: ‘Nuk jam më pjesë e presidencës’, dhe pastaj të dalë në garë me Albinin ose e vetme. Jo me këtë formë të sjelljes,” u shpreh Hasani.






