Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të dielën në mbledhjen e partisë së tij ku mori votat për tu propozuar për kryeministër, deklaroi se Kosova nuk është shtet multietnik por shoqëri multietnike.
Ndaj kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar ashpër ish-kryetari i Gjykatës Kushtetues, Enver Hasani.
Hasani në Rubikon të Klan Kosovës, theksoi se deklarata e Pavarësisë e specifikon qartë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, demokraci laike dhe multietnike.
“Deklarata e Pavarësisë e thotë Republikë demokratike, laike dhe multietnike. Obligimet për Kosovën të përmbajtura në planin Marti Ahtisari. Deklarata e Pavarësisë nuk është për shoqëri është për shtet, ka krijuar shtetin e Kosovës. Është shtet sovran dhe i pavarur, demokraci laike dhe multietnike”, deklaroi ai.
Hasani, insiston se të drejtat e komuniteteve nuk burojnë nga vullneti i partisë që e ka shumicën në parlament, por sigurohen nga kushtetuta dhe deklaratat e pavarësisë.
“Ti je edhe shtet edhe shoqëri multietnike, laike te dyjat. Këtë që e thotë Kurti po e thonë edhe të tjerë. Ne jemi Republikë, shtet i pavarur dhe sovran, shoqëri laike dhe multietnike. Nëse je shtet unitar ose jo kjo ka të bëjë me organizimin e pushtetit, këtu nuk bëhet fjalë për organizimin e pushtetit por zbatimin e kushtetutës së Kosovës, e cila komuniteteve ua njeh bazuar në Kushtetutë dhe deklaratën e pavarësisë, të drejtën e përfaqësimit”.
“Dhe ai përfaqësim nuk varet prej vullnetit të shumicës por të drejtat e komuniteteve burojnë nga deklaratat e Pavarësisë e Kushtetuta. Praktika parlamentare gjithmonë ka qenë që nënkryetarët shqiptarët të votohen në pako dhe ata nga komunitetet në pako, jo sic ka ndodhur atë ditë”, tha Hasani. /Klankosova.tv