12.6 C
New York
Thursday, February 27, 2025

Buy now

Hasani: Frika nga përmbushja e detyrimit për autonominë serbe, burimi kryesor i obstruksionit për formimin e qeverisë së ardhshme

- Advertisement -

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se çështja e presidentit nuk është ajo që do ta komplikojë formimin e qeverisë së re.

Ai tha në një intervistë për Express se këtë gjë më të vështirë do ta bëjë “implementimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, përkatësisht autonomia serbe, të cilën zoti Kurti e pranoi në Bruksel në pranverën e vitit 2023”.

Ai thotë se “frika nga përmbushja e këtij detyrimi mbetet burimi kryesor i obstruksionit në formimin e qeverisë së ardhshme”.

Formimi i qeverisë së ardhshme, Hasani thekson se “do të ketë si pikë referimi dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit të BE-së ose të ndonjë draft-statuti tjetër” dhe se “nuk ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës”.

Kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese pret që Administrata Trump do ta shtyjë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndonjë marrëveshje tjetër ai thotë se “nuk është e nevojshme”, por beson se asaj ekzistuese do t’i shtohet “dimensioni ekonomik”.

Hasani nuk mendon se kjo administratë amerikane do ta mbyllë çështjen mes Kosovës dhe Serbisë “nëse qëllimi është mbyllja e çështjes së njohjes reciproke mes dy vendeve”. Kjo për faktin se siç thotë ai, “Kosova, me vullnetin e saj, në vitin 2023 hoqi dorë nga kërkesa për njohje reciproke, si de facto ashtu edhe de jure, dhe pranoi rrugën e normalizimit, duke i njohur Serbisë të drejtën për ta paragjykuar dhe kontestuar shtetësinë e saj si shtet sovran dhe i pavarur”.

“Më shumë besoj se procesi do të vazhdojë me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke shmangur çështjen e njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Gazeta Express: A e shihni të vështirë formimin e qeverisë se re pas këtyre rezultateve që sollën zgjedhjet e 9 shkurtit? Ende s’po shohim ndonjë sinjal ndërmjet partive ose më saktë sinjal nga partia e parë Vetëvendosje në drejtim të të tjerëve.

Hasani: Po, patjetër. E shoh që klima politike ka ndryshuar shumë që nga viti 2021, por edhe për faktin se zoti Kurti pati një paraqitje publike fyese për dinjitetin e opozitës dhe të popullit të Kosovës, të cilët ata përfaqësojnë. Duke marrë parasysh rezultatin e arritur nga LVV, një prononcim i tillë është i çuditshëm dhe krejtësisht absurd, dhe me siguri do të mbahet mend në Kosovë.

Përveç kësaj arsyeje, ekziston edhe një tjetër faktor që pritet të vonojë dhe të komplikojë formimin e qeverisë: implementimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, përkatësisht autonomia serbe, të cilën zoti Kurti e pranoi në Bruksel në pranverën e vitit 2023. Të gjithë e dinë se kjo do të përbëjë detyrën më sfiduese për qeverinë e ardhshme dhe se përmbushja e saj kërkon konsensus sa më të gjerë. Formimi i këtij konsensusi do të kërkojë përpjekje të sinqerta dhe kohë. Frika nga përmbushja e këtij detyrimi mbetet burimi kryesor i obstruksionit në formimin e qeverisë së ardhshme dhe i sjelljes politikisht iracionale të partive politike në Kosovë, veçanërisht të LVV-së

Gazeta Express: A prisni qeveri njëvjeçare, siç po thuhet, apo një qeveri që ka mjaftueshëm vota për ta zgjidhur edhe çështjen e presidentit vitin e ardhshem?

Hasani: Formimi i qeverisë së ardhshme do të ketë si pikë referimi dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit të BE-së ose të ndonjë draft-statuti tjetër dhe nuk ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës, e cila duhet të kryhet në Kuvendin e Kosovës në vitin 2025

Gazeta Express: Në rrethanat aktuale, sidomos me angazhimin rreth zhvillimeve lidhur me Ukrainen, a mund të merret seriozisht BE-ja me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi?

Hasani: Sigurisht që po. Ky angazhim ndaj Kosovës do të jetë serioz dhe nuk do të jetë i vështirë, pasi ekzistojnë Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit i vitit 2023, të cilat janë shumë të qarta dhe kanë për objekt stabilizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke shmangur nga rendi i ditës çështjet sensitive politike, siç është njohja reciproke mes dy vendeve.

Siç dihet, me këto marrëveshje, Kosova ka pranuar që Serbia të paragjykojë statusin e saj si shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa çështja e njohjes reciproke është hequr nga rendi i ditës. Palët janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe kanë marrë angazhime dhe zotime reciproke, për të cilat nuk është e nevojshme ndonjë marrëveshje shtesë për zbatim.
Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë bërë pjesë e procesit rutinë të BE-së në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evro-atlantik. Çdo devijim nga këto marrëveshje sjell sanksione dhe pasoja për palët.

Gazeta Express: A besoni se Administrata Trump do ta shtyjë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Hasani: Po. Megjithatë, besoj se do të shtohet edhe dimensioni ekonomik, i cili i mungon Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

Gazeta Express: A mund ta mbyllë kjo administratë amerikane çështjen mes Kosovës dhe Serbisë?

Hasani: Nëse qëllimi është mbyllja e çështjes së njohjes reciproke mes dy vendeve, atëherë përgjigjja ime është negative. Kjo për faktin se Kosova, me vullnetin e saj, në vitin 2023 hoqi dorë nga kërkesa për njohje reciproke, si de facto ashtu edhe de jure, dhe pranoi rrugën e normalizimit, duke i njohur Serbisë të drejtën për ta paragjykuar dhe kontestuar shtetësinë e saj si shtet sovran dhe i pavarur.

Më shumë besoj se procesi do të vazhdojë me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke shmangur çështjen e njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta Express: Ndonëse Trump në disa raste tha se nuk do t’i largojë trupat nga Europa, ende ka drojë për praninë amerikane në Kosovë. Si e shihni ju këtë?

Hasani: Nuk besoj se mund të ndodhë një gjë e tillë, për shkak se siguria e Kosovës dhe e rajonit është pjesë e sigurisë së përgjithshme të zonës euro-atlantike të ndikimit, të cilën Presidenti Trump, me një qasje tjetër, po përpiqet ta forcojë edhe më shumë dhe mbi baza të ndryshme
Një gjë të tillë, presidenti Trump e ka bërë të qartë në letrën e tij të urimit. E njëjta gjë vlen edhe për sekretarin e jashtëm, Mark Rubio. Urimet e tyre për pavarësinë e Kosovës konfirmojnë qartë zotimin amerikan për Kosovën dhe rajonin në një afat të gjatë.

Gazeta Express: Çfarë mendoni se do të kërkojë/pres Administrata Trump nga Kosova dhe Serbia?

Hasani: Zbatimi i marrëveshjeve të vitit 2023 dhe atyre të Washingtonit, të lidhura nga zoti Avdullah Hoti, përkatësisht të zotimeve të pabazuara që janë marrë nga Kosova

Gazeta Express: Si ju duket vrulli i Presidentit Trump për ta mbyllur çështjen e luftës në Ukrainë?

Hasani: Mendoj se qasja nuk ka qenë shumë e drejtë në raport me Ukrainën, sepse ka lënë përshtypjen e anashkalimit të mbështetjes për të, duke favorizuar Rusinë nën zotin Trump, gjë që nuk është e saktë. Ideja e Trump për mineralet e rralla ka të bëjë me përpjekjet e Amerikës për të shpëtuar nga varësia e saj nga Kina për këto minerale, të cilat janë shumë të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen amerikane. Përveç këtij dimensioni, ideja e Trump është që Amerika të mos shpenzojë më shumë në luftë dhe të rikthejë humbjet financiare që ka pasur gjatë administratës së mëparshme.

Nëse marrëveshja përfundimtare nuk i sjell Ukrainës garanci të forta, Rusia do të fuqizohet dhe do të vazhdojë me agresionin e saj, duke shtrirë ndikimin në Balltik dhe potencialisht kundër Moldavisë dhe vendeve të tjera pro-perëndimore në fqinjësinë e afërt ruse. Sikur amerikanët të ishin treguar më të kujdesshëm në vitin 1994, kur denuklearizuan Ukrainën, sot nuk do të kishim zhvillime të tilla. Po ashtu, sikur amerikanët të kishin ndaluar ushtarakisht regjimin e Asadit në Siri në vitin 2014, sot nuk do të kishte pasur as okupimin e Krimes dhe as agresionin e mëtejshëm në katër rajone të Ukrainës juglindore. Të gjitha këto lehtësira kanë ndodhur gjatë administratës së demokratëve. Shpresoj që Amerika nuk do të bëjë lëshime të tilla ndaj Rusisë

Gazeta Express: Çfarë do të zgjidhte më gjatë përfundimi i kësaj lufte dhe çfarë do të ishte “në radhë”?

Hasani: Zgjidhja fatlume dhe në favor të Perëndimit në luftën në Ukrainë do ta fuqizonte Perëndimin karshi Rusisë dhe do t’i lironte duar Amerikes për t’u fokusuar në frenimin e Kinës. Nëse ndodh që Rusia të dalë fituese, ajo do të bëhet një problem permanent dhe do të shpenzojë energjinë dhe resurset e Perëndimit, në një kohë kur Kina do të konsolidohet si hegjemon i ri në Indo-Pacifik. Kjo do të ishte një gjë shumë e keqe për njerëzimin, lirinë dhe demokracinë, siç i kemi njohur deri tani.

Gazeta Express: Në fund dua t’ju pyes për sjelljen e rektorit te UP-se, Arben Hajrullahu, i cili ne mbledhjen e fundit te Senatit pati një paraqitje agresive dhe ju reaguat për këtë. Çfarë masa duhet të merren sipas jush për, siç keni shkruar, ta mbrojtur dinjitetin e profesorëve, pasi anëtarët e Senatit u kërcënuan me përjashtim fizik nga mbledhja?

Hasani: Sikurse e keni parë, zoti Hajrullahu ka shprehur vazhdimisht mllef dhe urrejtje ndaj kolegëve, ndërkohë që ushtron funksionin e rektorit të UP-së, një post që paguhet me taksat publike. Ai ka përgjegjësi të shtuar dhe duhet të sillet si rektor, me respekt dhe dinjitet ndaj kolegëve dhe mjedisit që e rrethon.

Në Senatin e fundit, sjelljet e tij ishin edhe më shokuese, pasi cilësonte kolegët në Senat si hajdutë, të korruptuar dhe pa integritet. Kjo nuk është e drejtë për një rektor dhe nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë. Sjellje të tilla duhet të marrin dënim moral nga shoqëria, ashtu siç ka ndodhur, pasi me qindra profesorë janë shprehur të tronditur nga sjellja e zotit Hajrullahu në Senatin e fundit.

Ai duhet të kërkojë falje publike ndaj kolegëve dhe ndaj gjithë opinionit të Kosovës, i cili paguan për pozitat që mban. Bashkëpunëtorët e tij të ngushtë duhet të jenë më aktivë në frenimin e sjelljeve të tilla në të ardhmen, të cilat dëmtojnë pozitën e rektorit, të UP-së dhe të profesorit universitar.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit