Qeveria e Kosovës ka miratuar sot listën e kandidatëve të propozuar për tre anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Kandidatët e propozuar janë: Habib Basholli, Nasuf Mjekiqi, Bahri Karaça, Avdi Mjeku, Hasan Preteni dhe Kaltrinë Demiri.
Në mesin e tyre siç shihet është ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, i cili muaj më parë tha se është në listën e zezë të Kurtit.
Kësaj radhe Preteni i paska shpëtuar listës së zezë së kryeministrit. Ai ka shanse të zgjidhet si anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale nëse zgjidhet në Kuvend.
Kujtojmë se, rreth 11 muaj më parë Hasan Preteni tha se është kureshtarë të dijë arsyen pse është në listën e zezë të kryeministrit Kurti.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Preteni tha se Kurti e eleminoi nga lista për Bordin e NP Bifurkacionit, ndërsa ai theksoi se, në konkurrencën e 23 kandidatëve për drejtor në bordin e NP Infrakosit, u rëndit në vendin e dytë.
Preteni kishte thënë se Kurti vendosi që kandidatin që ishte i renditur në vendin e gjashtë, ta emëronte kryesuese të bordit, teksa theksoi se për të nuk kishte vend.
Ai kërkoi nga kryeministri arsyen e kësaj.
