Pak pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga kandidimi një javë më parë, Nënpresidentja Harris filloi të ndërtojë një plan të sajin për ekonominë, duke e vendosur theksin tek dhënia fund e varfërisë për fëmijët, tek fuqizimi i sindikatave, pakësimi i kostove për kujdesin shëndetësor dhe kujdesin për fëmijët, si dhe në mbrojtje të daljes në pension me dinjitet.
Gjatë fjalimeve në Uiskonsin, Indiana apo Teksas, ajo shmangu përdorimin e fjalës “inflacion”, që ka qenë edhe sfida më e madhe për administratën e Presidentit Biden dhe që e detyroi atë të pranonte vazhdimisht në fjalimet e tij pasojat që po përjetojnë votuesit, ndërsa përballen me shpenzime më të mëdha për ushqimet, karburantin, blerjen e shtëpive dhe makinave.
Nënpresidentja Harris po i jep përparësinë më të madhe asaj që ajo thotë se pritet në të ardhmen.
“Në vizionin tonë për të ardhmen, parafytyrojmë një vend ku çdo person ka jo vetëm mundësinë që t’ia dalë mbanë, por që t’ia dalë me sukses – një të ardhme ku asnjë fëmije nuk i duhet të jetojë në varfëri, ku çdo i moshuar mund të dalë në pension me dinjitet dhe ku çdo punëtor është i lirë të bëhet pjesë e një sindikate”, tha Nënpresidentja Harris të enjten ndërsa fliste për Federatën e Mësuesve Amerikanë.
Por, republikanët vepruan me shpejtësi duke u përpjekur të fajësojnë zonjën Harris për inflacionin, për të cilin deri vonë fajësonin Presidentin Biden. Ata po theksojnë ndikimin në rritje të çmimeve të larta nën drejtimin e administratës demokrate.
Të dhënat e Departamentit të Punës tregojnë se çmimet e mallrave të konsumit janë rritur me 19.2 për qind që kur Presidenti Biden mori detyrën, ndërsa të ardhurat mesatare janë rritur me 16.9 për qind.
Drejtuesit republikanë po thonë tashmë haptazi se Nënpresidentja Harris ka përgjegjësi për inflacionin, pa dhënë detaje të mëtejshme se si ia arriti kësaj, përtej vetëm faktit se është Nënpresidente e vendit.
“Nënpresidentja Harris ka përgjegjësi për historikun e kësaj administrate”, tha drejtuesi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell. “Gjurmët e saj gjenden përgjatë gjithë dështimeve të katër viteve të fundit”.
Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë që kanë punuar me zonjën Harris janë shprehur në intervista se nuk mendojnë që kritikat për inflacionin do të prekin kandidimin e saj, pasi për shumë votues ajo përfaqëson një zë të ri, pas gati tetë viteve me ish-Presidentin Trump apo me Presidentin Biden në Zyrën Ovale.
Duket se është tashmë momenti i duhur që zonja Harris të ravijëzojë politikat e saj për çështjet ekonomike.
Disa nga zyrtarët thanë se ka gjasa që zonja Harris t’i përmbahet propozimit të Presidentit Biden për buxhetin e vitit 2025 dhe planeve për rritur taksat ndaj korporatave në 28 për qind, nga niveli 21 për qind që u përcaktua gjatë reformës së taksave nga ish-Presidenti Trump.
Dalja e saj si kandidate e mundshme demokrate për presidente përkoi edhe me disa lajme pozitive për ekonominë.
Departamenti i Tregtisë njoftoi të enjten se rritja vjetore e ekonomisë ishte në 2.8% gjatë tremujorit të dytë. Të premten, Departamenti njoftoi se inflacioni i matur nëpërmjet shpenzimeve të konsumit personal u lehtësua në 2.5 për qind, ndërsa tregjet financiare presin që në shtator Rezerva Federale të vendosë për uljen e normës së interesit./voa