Deputeti Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se opozita nuk i ka kërkuar zgjedhjet dhe se ka qenë hapur kundër tyre, duke theksuar se procesi zgjedhor përbën barrë të madhe për qytetarët dhe buxhetin e Kosovës.
“Opozita nuk i ka kërkuar këto zgjedhje, kemi qenë hapur kundër tyre. Megjithatë, tash duhet të bëhemi gati për të marrë masat e duhura. Zgjedhjet janë një barrë e madhe për popullin e Kosovës, një barrë që ka kosto të madhe buxhetore. Po flasim për pesë palë zgjedhje brenda një viti kalendarik; kjo do të ishte e rëndë edhe për një shtet të fuqishëm evropian, e lëre më për Kosovën”, u shpreh Haradinaj.
Ai gjithashtu kritikoi qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duke e akuzuar për rritje të shpenzimeve dhe për zgjerim të kabinetit qeveritar.
“Populli duhet t’i shohë faturat e rrymës, sa ka qenë çmimi i bukës dhe i vezëve dhe sa është sot. Kurti i ka bërë 20 ministra, 40 zëvendësministra dhe 38 këshilltarë, duke i çuar shpenzimet buxhetore në 28 milionë euro, ndërsa qeveritë e kaluara – e fundit, qeveria e Avdullah Hotit, i ka pasur rreth 860 mijë euro shpenzime”, deklaroi ai.
Sipas Haradinajt, qeveria aktuale është ndërtuar edhe me synime elektorale.
“Kurti ka krijuar një qeveri ministrore elektorale, me idenë për t’i nxjerrë ministrat dhe zëvendësministrat në terren. Megjithatë, besoj se të gjitha këto do t’i shohë populli dhe do të marrë vendimin e duhur”, tha Haradinaj në Blic Interview.






