Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka komentuar vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Greqi, duke thënë se Kosova ka dështuar në mënyrë flagrane në Athinë.
Ajo përmes një shkrimi në Facebook, ka renditur “pesë mësime me pasoja” nga vizita e Kurtit në Athinë.
“5. Dështimi flagrant i Kosovës në Athinë – me deklaratë poshtëruese të Vuçiçit për rikonfirmim të mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina e Greqia (pa mohim nga ana e tyre) është mësim me pasoja afatgjata se diplomacia kosovare pa SHBA-në është si njeriu pa oksigjen, dhe angazhimi i Kosovës në dialog të ndërmjetësuar nga BE (në rrethanat aktuale mosnjohëse) është kundërproduktiv dhe humbje kohe.” – ka thënë ndër të tjera ajo.
Shkrimi i plotë i saj:
5 MËSIME ME PASOJA, NGA ATHINA:
1. Largimi i Serbisë nga Rusia është prioritet për BE-në kur përmendet Ballkani Perëndimor (shihet edhe në planin e uljes se prioriteti protokollar reflekton prioritetin politik). Për arritjen e qëllimit të saj, BE nuk e ka problem fare që Serbia të (keq)përdorë temën e Kosovës dhe të kërkojë nga anëtarët e forumit që të mos njihet ajo, siç bëri paturpësisht me Ukrainën dhe Greqinë në sytë e bartësve më të lartë institucional të BE-së.
2. Serbia edhe njëherë poshtëroi BE-në, duke shkelur me dy këmbë Marrëveshjen e Ohrit 2023 që u tha se u arrit me ndërmjetësimin e tyre vetëm muaj më parë me pikë të veçantë mospërfaqësimin dhe mospengimin e njëra tjetrës në arenën ndërkombëtare.
3. Postimi i Presidentit ukrainas Zelensky për takimin me Vuçiçin – me theks në respektimin e integritetit territorial dhe kufijve ekzistues – është goditje e rëndë diplomatike e Serbisë – që na rikthehet tani pas një kohe të gjatë prej se Kosova e ka rrëzuar si argument për shtetet mosnjohëse kur fitoi betejën në GJND dhe kur formalizoi njohjen nga Izraeli.
4. Trajtimi i zbehtë diplomatik që iu bë Kosovës në Athinë, dhe nënçmimi që iu bë Shqipërisë për të njejtën ngjarje, dëshmon që shqiptarët në rajon dhe në Evropë – do të faktorizohen e trajtohen me respekt vetëm kur janë të bashkërenduar, e asnjëherë të përçarë siç janë sot!
5. Dështimi flagrant i Kosovës në Athinë – me deklaratë poshtëruese të Vuçiçit për rikonfirmim të mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina e Greqia (pa mohim nga ana e tyre) është mësim me pasoja afatgjata se diplomacia kosovare pa SHBA-në është si njeriu pa oksigjen, dhe angazhimi i Kosovës në dialog të ndërmjetësuar nga BE (në rrethanat aktuale mosnjohëse) është kundërproduktiv dhe humbje kohe.