Home Ballina Haradinaj-Stublla: Asociacionin që po e kërkon SHBA-ja nuk është i njëjti që po e pretendon Serbia!

Haradinaj-Stublla: Asociacionin që po e kërkon SHBA-ja nuk është i njëjti që po e pretendon Serbia!

0

Ish-ministrja e Punëve të Jashme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se asociacionin që po e kërkon SHBA-ja, nuk është i njëjti me atë që e pretendon Serbia.

Sipas ish-kryediplomates, institucionet e Kosovës, pozitë e opozitë duhet të ulen e të diskutojnë një qëndrim të përbashkët kundër kërkesave të Serbisë për një asociacion monoetnik.

Postimi i plotë:

ASOCIACIONIN QË E KËRKOJNË SHBA-të NGA KOSOVA NUK ËSHTË ASOCIACIONI QË NË REALITET E PRETENDON SERBIA!

Vizita e delegacionit të lartë amerikan kryesuar nga Këshilltari i Lartë z.Derek Chollet është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën dhe fazën e re të intenzivitetit diplomatik që filloi këtë javë me këtë vizitë, natyrisht se do të vazhdojë edhe për muajt e ardhshëm.

Siç dihet tashmë, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë dialogun Kosovë – Serbi si çështje urgjente të sigurisë evropiane, dhe status kuoja do të rrezikojë edhe më shumë brishtësinë e kësaj sigurie – sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë, zhvillimeve kriminale në veriun e Republikës së Kosovës, dhe kërcënimit të hapur të Serbisë për luftë kundër Kosovës. Prandaj, edhe ne në Kosovë, do të duhej t’a trajtojmë si të tillë e të kapitalizojmë vëmendjen amerikane për të arritur sa më parë të një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, duke maksimizuar interesat tona afatgjate në forcimin dhe avancimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, por assesi ky forcim i subjektivitetit ndërkombëtar nuk do të duhej të bëhet me çmimin e defunksionalizimit të shtetit përbrenda.

Në këtë kontekst, institucionet e Kosovës bashkë me opozitën (specifikisht partitë që e kanë nënshkruar Asociacionin në të kaluarën) do të duhej të ulen bashkë e të diskutojnë qëndrimin e përbashkët të Kosovës kundër kërkesës serbomadhe për implementim të një asociacioni monoetnik, me kompetenca ekzekutive – të tipit të Republikës serbe në Bosnje. Një manifest i këtij asociacioni që vazhdimisht kërkon Serbia na u shfaq vetëm disa ditë më parë në paradën ilegale të mbajtur në Sarajevë e të organizuar nga Dodiku, ku u mblodhën të gjithë apologjetikët gjenocidal serb për të promovuar urrejtje etnike dhe ide hegjemoniste në Ballkan.

Qeveria e Kosovës dhe klasa politike në përgjithësi, do të duhej të jetë e shkathët në shpërfaqjen reale të pretendimeve të Serbisë, sepse asociacionin që e kërkon SHBA prej Kosovës nuk është asociacioni që në realitet e pretendon Serbia. Serbia nuk e dëshiron një asociacion që është i barazvlefshëm me Asociacionin ekzistues të Komunave të Kosovës – pa dallime etnike – por Serbia dëshiron një Ahtisaari Plus – kompetenca shtesë këtyre ekzistueseve për serbët e Kosovës që ndërhyjnë mes pushteteve lokale dhe qendrore – që krijojnë një pushtet të ndërmjetëm – gjë që nuk e lejon e as nuk e parasheh Kushtetuta aktuale e Republikës së Kosovës. Kosova është shtet shumëetnik, si vlerë e mishëruar në Kushtetutën e saj moderne, dhe homogjeniteti etnik është vërtetuar se i dobëson shtetet dhe institucionet. Kosova assesi nuk do të duhej të lejojë një derë të pasme për Serbinë – përmes një asociacioni njëetnik përbrenda shtetit të Kosovës – që pastaj përmes asaj dere Serbia e Rusia të kontrollojnë e destabilizojnë sa herë të duan shtetin tonë, si dhe paqen e sigurinë në rajon.

Serbët veçse kanë të drejta e privilegje të zgjeruara me Kushtetutën aktuale dhe me ligjet e Kosovës, të cilat rrallë se do të mund t’i gjeni në kushtetutat më të avancuara të botës demokratike. Ndërsa vetëm pak kilometra matanë kufirit me Serbinë, brenda saj pra, këto të drejta të shqiptarëve në Serbi jo që nuk njihen e respektohen, por shkelen në mënyrën më flagrante.

Kosova e ka një Asociacion të Komunave të Kosovës pa dallim se cila etni përkohësisht mbizotëron shumicën në ato komuna, prandaj është jashtëzakonisht dëmtuese dhe vetëshkatërruese nësë ne implementojmë një asociacion që legjitimon etiketimin etnik të komunave të Kosovës. Për më shumë, në kohën që po jetojmë sot, njerëzit vazhdimisht kërkojnë një jetë më të mirë dhe ndryshojnë vendbanim, andaj edhe përbërjet demografike në qytetet e Kosovës si çdokund në botë ndryshojnë çdo ditë. Prandaj do të ishte shkurtpamëse nësë ne me vetëdëshirë, dhe duke shkelë Kushtetutën tonë, veprojmë në kundërshtim me këto vlera demokratike. Komunat të cilat aktualisht kanë një shumicë të etnisë serbe, do të mund të vazhdojnë të jenë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe të amplifikojnë zërin dhe interesat e tyre përmes kësaj strukture.

Fundja, edhe në marrëveshje të Brukselit Serbia është pajtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të ketë fjalën e fundit rreth një asociacioni potencial, andaj Kosova assesi të mos lejojë të mbetet peng i gabimeve të së kaluarës.

Exit mobile version