Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin se rezultatet e zgjedhjeve të fundit nuk do të sjellin zgjidhje për problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, duke vënë theks të veçantë te kriza energjetike.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se gjendja me energjinë elektrike është alarmante, pasi shumë vendbanime po përballen me reduktime të zgjatura, në një kohë kur temperaturat janë të ulëta dhe shumica e qytetarëve ngrohen me energji elektrike.
Haradinaj shkruan:
Rezultatet që dolën nga zgjedhjet që sapo i kaluam, kam shqetësimin se nuk do t’i zgjidhin problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët tanë. Gjendja e rënduar me energji është alarmante. Shumë vendbanime po përballen me reduktime të tejzgjatura, në kohë kur temperaturat janë të ulëta dhe dihet që shumica e qytetarëve të Kosovës ngrohjen e kanë përmes energjisë. Po ashtu, në këtë periudhë ka edhe shumë vëllezër e motra nga diaspora që po i kalojnë pushimet në atdhe.
Kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm. Është urgjente të investojmë në kapacitete të reja energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve me thëngjill dhe gaz, që të mos vazhdojë kjo traumë për qytetarët tanë, si me mungesë të energjisë ashtu edhe me fatura me çmim përtej çdo normaleje. Siguria energjetike të trajtohet si urgjencë kombëtare.






