Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili mbrëmë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se ish-krerët e PDK-së po japin ende instruksione politike bashkëpartiakëve të tyre gjatë vizitave në Hagë.
Sipas Haradinajt, kjo deklaratë është “e ulët, e pavërtetë dhe e dëmshme”, sidomos për ata që ndodhen brenda në paraburgim.
Ai shton se nëse Kurti pretendon se ka informacione të sakta për çfarë ndodh në Hagë, atëherë duhet të merret në pyetje për pengim të drejtësisë, pasi po pretendon të dijë gjëra që, sipas tij, nuk i di as vetë Gjykata.
“E para, nëse ndonjëherë do të pendohet për diçka Kurti, që ka bërë diçka të ulët është pikërisht kjo deklaratë. Sepse, kjo është përtej politikës, përtej vetë interesit partiak dhe kjo është në dëm të atyre që janë brenda. E dyta, nëse ai i ka këto shënime të sakta atëherë ky duhet me u marrë edhe në pyetje atje dhe duhet me u marrë për pengim të drejtësisë. Sepse, ky po i dika të gjitha këto çka s’po i dinë as vetë Gjykata. Gjykata, vetë aktakuzën e dytë që e ka ngritur për Thaçin, e ka ngritur me hamendësi, duke u munduar, duke bërë… dhe me disa ‘palaço’ që në një mënyrë e pranojnë vetë që kanë tentuar në krye në veti me bë dhe që po e paguan tjetër kush”, tha Haradinaj në “Këndin e Debatit” në Tëvë1.
Haradinaj e cilëson deklaratën e Kurtit një e pavërtetë që do t’i kthehet si ”boomerang”, ndërkohë që thekson se vetë procesi gjyqësor në Hagë po dështon të faktojë akuzat.
Ai gjithashtu mohon kategorikisht Thaçi të jetë duke dhënë ndonjë instruksion politik, duke e cilësuar si një “luks të madh” për të pasur kohë të merret me këtë.
“Unë mendoj që Albin Kurti e ka fol një të pavërtetë, një të pavërtetë që ai mendon se e ndihmon, por që do i kushtoj bommerang, por me këtë të pavërtetë të tij e ka dëmtuar dhe arsyetuar një Gjykatë që në fakt është e pavërtetë se u ngritë mbi bazat e fakteve. Vetë fakti që u bënë 5 vite dhe s’po munden ta dëshmojnë si duhet aktakuzën, vetë fakti që e kanë ngritur një aktakuzë tjetër brenda Gjykatës së vetë duke thënë se i kanë dalë sekrete dhe duke u munduar prapë Thaçin, Veselin e Selimin, po tregon që ata janë të paaftë për të bërë diçka tjetër dhe ju duhet vetë kohë që sa më shumë të marrin para të fondeve evropiane”, deklaroi ai.
Haradinaj nuk besoj që ish-presidenti i Kosovës ka dhënë instruksione për PDK-në, pasi thotë se edhe po dojë një gjë e tillë nuk është e mundur.
“Thaçi nuk e besoj që ka dhënë ndonjë instruksion, sepse edhe po të dojë s’do të kishte munduar, edhe pse po them se as që është i interesuar kush këndë çka me bë…”.
Për fund, Haradinaj tha se deklarata e Kurtit është e ulët, jo e pavetëdijshme dhe do ta turpërojë më së shumti.