Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë – ku ditën e parë edhe pati tensione pasi i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar derisa kjo zyrë të shfaqë në gjykatore një dokument në të cilin dëshmitari pretendon se deklaratat e tij janë manipuluar nga hetuesit.
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj qasjen e Gjykatës ndaj Tarës e sheh si kërcënim dhe sipas tij prokurorisë nuk i ka konvenuar që ta paraqes dokumentin.
“Qasja e Gjykatës ndaj Tarës është kërcënim. Kërcënim është sepse dëshiron me e detyru me fol e nuk ja qet dokumentin. Prokurori edhe mund ta bëjë atë në mënyrë juridike, por gjykatësi ka pasur të drejtë më e dhënë urdhërin që prokurori ta qetë dokumentin dhe të diskutohet mbi të. Prokurorit nuk i ka konvenuar ajo sepse z.Tara e kish dëshmu ja është kjo dy faqe, ai nuk i kontestojke deklaratat tjera… Ata nuk dëshirojshin me u pa, pra që me u pa manipulimi i plotë, por ishte vetëm verbal”, ka deklaruar ai në Tëvë1.
Ndryshe në seancën e sotme mbrojtja e Veselit e pyeti Tarën se çka përmban saktësisht dokumenti të cilin po e kërkon me kaq ngulm.
“Ai dokument nuk është përshkruar në prezencën time, nuk më është treguar kurrë mua, as për tu lexuar, as nuk e kam nënshkruar dhe as s’kam pas njohuri për atë dokument që 5 vite me radhë, vetëm se me datën 19 të mërkurën në përgatitjen time me stafin e prokurores, më është treguar për herë të parë, ai dokument përshkruan Tarën sipas përshkrimit të intervistueseve, hetuesve, prokurorëve të mi, sikurse Ismet Tara të kish thënë se Ismet Tara i din shumë krime që kanë ndodhur që ka bo krime UÇK-ja që ka vrarë civil, që ka djegur shtëpi, që ka bo krime jonjerëzore sipas atyre përshkrimeve, janë dy flet që unë si kam nënshkruar unë kurrë”, theksoi ai.
Tara, që kishte nofkën komandant Hoxha, tha se edhe dokumenti i prezantuar i UNMIK-ut i vitit 2001 është trillim dhe se asnjëherë nuk ka pasur takime me ta.