Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka folur pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për të rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke lejuar vazhdimin e gjykimit.
Haradinaj e ka quajtur këtë proces “një tallje me krejt popullin shqiptar”, ndërsa ka akuzuar trupin gjykues për një mision politik që, sipas tij, synon ta dënojë vetëm UÇK-në.
“Nuk është kot ky trup gjykues. Ka mision me mbërri me dënu UÇK-në, pa emër UÇK-në – është mision politik, thjesht,” deklaroi Haradinaj në emisionin FIVE.
Ai parashikoi se në rast se Thaçi dhe të tjerët shpallen fajtorë, ata mund të përballen me dënime shumë më të rënda sesa të tjerët që janë dënuar deri më tani nga Specialja.
“Nëse këta dënohen, mendoni se do ta marrin maksimalen 15 vjet – është mendim i gabuar. Këta mund të marrin 30 vjet e deri në të përjetshëm. Pastaj gjykata tjetër mundet me ua ulë në 30 vjet”, tha ai.
Sipas Haradinajt, qëllimi final i këtij procesi është të vendosë një barazi të rreme mes UÇK-së dhe okupatorit serb.
“Po duan me na dënu luftën. Po duan me na relativizu me okupatorin. Dhe po donë me na gjet ajo që kemi me i ra të gjithë pishman – edhe ata që mendojnë se do të fitojnë nëse ata dënohen,” u shpreh Haradinaj