Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar sondazhin e fundit të fundit të UBO Consulting.
Haradinaj, në një intervistë për Telegrafin, sondazhin në fjalë e ka quajtur të fabrikuar për t’i favorizuar porositsit.
“Sondazhet po kushtojnë, më i zakonshmi 25 mijë euro, kush po i porosit sondazhet po i ka mënyrat me llojet e pyetjeve, me renditjen e pyetjeve, mostrat, marzhën e gabimit, kuptohet me favorizu veten. Ne si Aleancë nuk kemi shku me këto fabrikime. Por këto i ka ba para zgjedhjeve, Armend Muja, tash deputet i Vetëvendosjes. Ata që janë mundu me e bind Kosovën se kështu po shkon votuesi dhe kanë pas sukses njëherë, por nuk besoj që do të munden prap dikush me i mashtru qytetarët e Kosovës, me e rrejt Kosovën”, tha Haradinaj.
Tutje, ish-kryeministri tha se kjo është tendencë për t’ju dhënë drejtim votuesve, pasi thotë se viti 2024 mund edhe të quhet si vit zgjedhor.
“Jemi në vitin zgjedhor, me Kushtetutë të Kosovës dhe ligje, më së largu në janar 2025 duhet me u mbajtë zgjedhjet parlamentare që i bie, vitin që vjen jemi në zgjedhje parlamentare, të cilat munden me u mbajtë edhe në pjesën e parë, viti i fundit i mandatit të Kurtit. Nëse janë të befasishme, edhe më shpejtë. Po shihet që ka tendenca me ju dhënë drejtim votuesve”, u shpreh Haradinaj.
Ai ka ftuar prokurorinë për hetim ndaj atyre që bëjnë këso lloj sondazhe, pasi thotë se nuk dihet prejardhja e financimit, dhe se munden me qenë para të krimit e korrupsionit.
“I kisha bo thirrje Prokurorisë, që sa herë që ka sondazhe, t’i intervistojë ata që i kanë zbatu sondazhet, kush i ka financu këto sondazhe, dhe a janë financim transparent, a janë ligjor, a kanë shku përmes xhirollogarive apo mënyrave të tjera. Këto munden me qenë edhe para të krimit e korrupsionit. Me e ditë çka po ndodhë, kush po e mashtron qytetarin e Kosovës, pasi ka pasur dyshime që Vetëvendosje, zgjedhjet e kaluara ka marrë burime të parave të armiqve të Kosovës”, shprehet Haradinaj.