I pari i AAK-së, njëherit kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit, Ramush Haradinaj ka thënë se mësimdhënësit meritojnë më shumë se sa premtime boshe.
Pas protestës që SBASHK mbajti, Haradinaj ka thënë se zëri i tyre përballë një qeverie që po i injoron, është shembull i qëndresës për drejtësi sociale.
Refuzimi për të nënshkruar kontratat kolektive dhe sigurimi i pagave dinjitoze për arsimin, sipas Haradinajt dëshmon se kjo qeveri ka humbur rrugën.
Teksa shprehu kritika për qasjen e Qeverisë për arsimin, ai tha se me qeverisjen e tij paga mesatare për këtë sector do të jetë 1000 euro.
Postimi i plotë:
Mësimdhënësit meritojnë më shumë se premtime boshe dhe neglizhencë institucionale. Qëndrimi stoik i Sindikatës së Arsimit përballë një qeverie që ka zgjedhur të injorojë zërin e tyre, është shembull i qëndresës për drejtësi sociale.
Refuzimi për të nënshkruar Kontratën Kolektive dhe mosgatishmëria për të siguruar një pagë dinjitoze për mësuesit, është dëshmi e qartë e një qeverie që ka humbur rrugën – një qeverie që nuk respekton një institucion të shenjtë për vendin, edukimin e brezit të ri.
Ne qëndrojmë të palëkundur në mbështetje të kërkesave legjitime të mësimdhënësve. Vizioni ynë parasheh rritje substanciale të pagave, në masë 50% për mësimdhënësit, e paga mesatare do të jetë 1000 euro që në vitin e parë të qeverisjes. Rritja e pagave nuk është thjeshtë kërkesë ekonomike, por investim i domosdoshëm në cilësinë e arsimit dhe të ardhmen e fëmijëve. /