Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Rubikon të Klan Kosovës, ka folur për kohën kur si kryetar i Qeverisë kishte arritur të krijonte Ushtrinë e Kosovës.
Ai tregoi se ka pasur edhe shtete skeptike se krijimi i një force të tillë do të destabilizonte vendin por edhe rajonin.
“Ka qenë një e drejtë e mohuar e jona. Është punuar nga shumë breza, nga ata që nisën luftën për çlirimin e Kosovës. Ka qenë një porosi e të gjithë bashkëluftëtarëve, dëshmorëve e të gjallëve, dhe para ardhjes në detyrë të qeverisë, e kam pasur këtë qëllim, që ta bëjmë qeverinë. Kemi punuar çdo ditë, dhe mundësia për ta krijuar u mundësua nga takimi në Pentagon, me në atë kohë Sekretarin e Mbrojtjes, gjeneralin Matis, dhe vetvetiu këtu u hapën dyert që të veprojmë”.
“I jemi mirënjohës Administratës Trump që ka qenë në mbështetje tonën, dhe i falënderoj për besim e përkrahje edhe plot vende tjera anëtare të NATO-s. vërtetë që ka pasur skeptikë, e besoj që ka ende. E lidhnin me 1244, ose me ndryshim të Kushtetutës… por, përkundër shqetësimeve që i kanë pasur plot se krijimi i Ushtrisë së Kosovës mund të jetë destabilizim, si për Kosovën ku funksionojnë shumë ushtri që janë pjesë e KFOR-it, ose destabilizim rajonal që do të ketë reagime në rajon, besa u mendoke që edhe në veri mund të ketë reagime. Por, u arrit që Ushtria e Kosovës është e paqes, që ne jemi të fundit që e kemi fituar paqen dhe do të jemi të fundit që do ta lëshojmë paqen”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se ne nuk duhet asnjëherë të jemi burim destabilizimi apo krize që nuk është e domosdoshme për Kosovën ose për aleatët e vendit.
Haradinaj tha se në bindjen e aleatëve ka ndikuar edhe fakti se ai vetë ka qenë ushtar i UÇK-së. /Klankosova.tv






