Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se data 24 mars nderohet shumëfish për shkak se në këtë datë kanë ndodhur dy ngjarje historike.
Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 26-vjetorit të fillimit të bombardimeve nga NATO mbi caqet serbe.
“24 Marsi, nderohet shumëfish, një vit ndërmjet prej kur filloi Epopeja e Dukagjinit e deri tek intervenimi i NATO-s një vit më vonë. Me 24 Mars të vitit 1998, ranë tre djem të ri; Hima, Gazmendi e Agroni, por nuk u thyem! Flamurin e tyre e mbajtëm lartë, për UÇK-në çdo i rënë ishte plagë e mbështjellur me frymëzim që të mos ndalonim deri në momentin kulmor, atë ditë kur NATO në krye me SHBA dha sinjalin që Kosova po çlirohej, që lufta jonë ishte e drejtë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se e nderojmë Kosovën duke nderuar të rënët e asaj dite dhe nderojmë ShBA-të me aleatët.
“Sot nderojmë Kosovën duke nderuar të rënët e asaj dite, nderojmë ShBA-në dhe partnerët duke mos harruar asnjëherë që NATO në qiell e UÇK në tokë, ndaluan përfundimisht kasapin e Ballkanit e Kosovën e kurorëzuan me atë që takonte, lirinë e pavarësinë”, është shprehur Haradinaj.