Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur në lidhje me Gjykatën Speciale, duke u shprehur “mos qofsha në lëkurën e deputetëve që e kanë ngritur dorën dhe e kanë votuar atë”.
Ajo është shprehur se kjo gjykatë mund të shihet si një simbol i asimetrisë ndërkombëtare të trajtimit të Kosovës dhe siç tha, të trajtimit të krimeve të luftës.
“Realisht mos qofsha në lëkurën e atyre deputetëve që e kanë ngritur dorën dhe e kanë votuar Gjykatën Speciale, duke e ditur se çka po votojnë. Nuk kanë votuar asnjë protokoll të thjeshtë bashkëpunimi të kësaj gjykate me institucionet e Kosovës. Madje, ne komunikojmë me Gjykatën Speciale me nota verbale”.
“Nëse e shohim në një kontekst më të gjërë, atëherë padyshim se Gjykata Speciale sot mund të shihet si një simbol i asimetrisë ndërkombëtare të trajtimit të Kosovës, i asimetrisë të trajtimit të krimeve të luftës, sepse me krimet gjinocidale të Serbisë nuk merret askush, nuk është marrë askush, madje as qeveria e tanishme e cila ka ardhur në pushtet duke aluduar se do të bëjë padi për gjenocid kundër Serbisë, nuk e ka bërë fare”, u shpreh Haradinaj.
E pyetur në lidhje me akuzat për punësime familjare, nepotizëm, ajo është shprehur se janë vazhdimësi e të gjitha qeverisjeve.
“Nuk përbëjnë lajm, janë vazhdimësi e të gjithë qeverisjeve, pa dallim, nuk ka ndryshim, është bërë një dukuri, një fenomen i cili vazhdon dhe ripërtërihet me secilën qeveri, fatkeqësisht dhe kjo është një të themi një sëmundje të cilën duhet ta shërojmë si shoqëri”, është shprehur tutje ajo.