Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për AP ka shpjeguar arsyet pse kjo parti ka abstenuar në KQZ për Listën Serbe.
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ramush Haradinaj, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, e cila do të transmetohet e plotë në ditët në vijim, ka treguar arsyet pse anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka abstenuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për çështjen e certifikimit të Listës Serbe.
Haradinaj ka thënë për AP se nuk janë sjellë fakte dhe nuk janë plotësuar kushtet ligjore për votim.
“Për të votuar kundër është dashur të sillet ndonjë element ligjor, pra nuk mundesh pa bazë ligjore vetëm të ngritësh dorën e të thuash se janë çetnikë apo terroristë. Ne tash jemi në shtet ligjor. Nëse janë çetnikë dhe terroristë, pse që pesë vjet Qeveria Kurti nuk ka arritur ta çojë lëndën e tyre në gjykatë diku?”, ka thënë Haradinaj për AP.
Sipas tij, këto veprime të Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë aspak të sinqerta.
“Këta po e bëjnë këtë vetëm për të bërë filma, gjoja se janë patriotë. Shiko, nuk ka thënë populli palidhje, patrioti kurrë nuk flet për patriotizëm. Ai që është patriot në shpirt, trimi kurrë nuk flet për trimëri, sepse ai është trim dhe nuk ka pse të flasë. As i dijshmi, beso, ai që është i mençëm nuk thotë gjatë gjithë kohës ‘jam i mençëm, jam i mençëm”.
Haradinaj ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje po vuan nga komplekset e patriotizmit.
“Këta njerëz po e vënë në rrezik Kosovën me këto sjellje. Kanë mundur të sjellin bazë ligjore, t’i dërgojnë rastet në gjykatë, t’i gjejnë ato vepra të jashtëligjshme që i ka kryer Lista Serbe dhe t’i procedojnë në gjykatë — por jo të vendosin në KQZ, sepse KQZ-ja nuk është gjykatë dhe aty nuk ka revokim”, u shpreh ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të martën, refuzoi sërish certifikimin e Listës Serbe. Rekomandimi për certifikim mori vetëm 2 vota “për”, 2 vota “kundër” dhe 7 abstenime.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër certifikimit. Dy anëtarë të tjerë, përkatësisht përfaqësuesi i Listës Serbe dhe kryetari i KQZ-së, votuan për. Ndërkohë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.
LVV-ja në disa raste ka tentuar të pengojë certifikimin e Listës Serbe përmes procedurave administrative brenda KQZ-së. Në të gjitha rastet, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar KQZ-në që të certifikojë Listën Serbe.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë janë shprehur të zhgënjyer dhe të indinjuar me vendimin e fundit të KQZ-së në lidhje me Listën Serbe.
Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar të deklarohet rreth kësaj situate të mërkurën./albanianpost.com






