Ramush Haradinaj ka pretenduar se Albin Kurti të gjitha informatat sa ishte duke punuar për Zyrën e Përfaqësuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia ka dhënë “çikës së Sokoloviç-it në mbrëmje”
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për spiunazh sa ishte i angazhuar në Zyrën e Përfaqësuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ka qenë spiun i serbëve në atë zyre”, ka pretenduar ai në një intervistë për Klan Kosova.
Haradinaj ndër tjera ka potencuar se të gjitha informatat sa ishte duke punuar për këtë zyre ia ka dhënë “çikës së Sokoloviç-it në mbrëmje”.
Është pretenduar se Kurti ka qenë në lidhje dashurie me vajzën e ish-ministrit të brendshëm serb, Zoran Sokoloviç.
Ish-kryeministri i Kosovës gjithashtu ka potencuar se Kurti gjatë luftës ka refuzuar të luftojë.
“Kurti është një tip i tillë që e ka gjuajtur armën në luftë, nuk ka guxuar ta marr armën”, pohoi ai.
I pyetur për aksionin e Policisë së Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale në Ministrinë e Infrastrukturës i drejtuar nga Liburn Aliu, Haradinaj ka potencuar se kryehajni i gjithë këtyre aferave është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për Klan Kosovën, ish-kryeministri i Kosovës ka vlerësuar se kryeministri Kurti ka krijuar një organizatë të përbashkët kriminale të korrupsionit.
“Kurtit në parlament i thash se ti je ‘shefi i të korruptuarve ose i hajnave”, i thash je ‘kryehajni’”, ka deklaruar ai.
Kurti, sipas Haradinajt, ka krijuar një ambient komod dhe të sigurt për “hajnat e tij”
“Fitoren e zgjedhjeve Kurti e ka perceptuar si fitoren mbi ligjin, pra njerëzit e LVV-së mbi ligjin”, deklaroi Haradinaj.