Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e kombit Fadil Nimani në përvjetorin e rënies.
Haradinaj ka thënë se ai u dallua për guximin dhe trimërinë në fushëbeteja.
“Që nga organizimet e para të luftës çlirimtare, bashkëluftëtari im, Heroi i Kosovës Fadil Nimani u dallua për guximin dhe trimërinë nëpër fushëbeteja. Ai ishte i pari në rezistencë e aksione, kudo që e kërkonte nevoja. Do të kujtohet ndër breza për atdhedashurinë dhe qëndresën e palëkundur”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka kujtuar edhe masakrën e Lybeniqit dhe të rënët e fshatit Kamenicë.
“Po sot, kujtojmë 26-vjetorin e masakrës në Lybeniq, ku u ekzekutuan anëtarë të familjes Hamzaj, Alimehaj e Gogaj. Më 25 maj 1999, në kodër të fshatit Kamenicë, në luftë fyt për fyt me armikun, ranë heroikisht bashkëluftëtarët e mi; Fetah Selca, Ardian Kelmendi, Islam Berisha dhe Muharrem Kelmendi, e në Kotradiq, Arsim Ramaj. Asgjë më shumë se liria e popullit të Kosovës nuk e shpërblen gjakun e të rënëve për liri.
I përjetshëm kujtimi për ta!”, është shprehur Haradinaj.