Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar me kritika të ashpra ndaj partive politike në Kosovë për, siç tha ai, mosveprim dhe mungesë angazhimi konkret në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen në Hagë.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Haradinaj përmendi veçanërisht Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke u bërë thirrje që të ndërmarrin hapa realë në mbrojtje të katërshes së UÇK-së.
“Mua më intereson çka bën konkretisht tash PDK. Çka bëjnë ata që thirren në emër të liderëve që kanë? E njëjta vlen edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, që thirren në emër të Rexhep Selimit dhe e kanë pikë referuese atë, por nuk bëjnë asgjë, as këta që janë në qeveri, as këta tjerët këtu”, deklaroi Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.