Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pas letrës që ky i fundit i ka dërguar Trandafilovës në lidhje me ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Haradinaj tha se veprimi i Kurtit është i vonuar dhe i motivuar politikisht.
“Duket mu kanë shumë i pa meqe, mos me ditë qëllimin ose mu kanë i shpëlarë në tru e mos me kuptu qëllimin. Ose ta kuptosh tash si një mëri të madhe. Dihet që në këto zgjedhje pret poena politikë. Ajo që më pëlqen më së paku është se ai ka punuar në heshtje – pikërisht për këtë është i njohur,” tha Haradinaj.
Sipas tij, Kurti po përpiqet të krijojë një kulturë heshtjeje, në vend se të mbrojë hapur të drejtat e qytetarëve dhe të ish-luftëtarëve të UÇK-së.
“Ne nuk kemi nevojë me heshtë. Kjo është ajo që ai po do ta mbjellë – që ne të heshtim, e të flasim vetëm kur na plagosin, kur na godasin. Nëse don me punu në heshtje, le të dalë në legalitet. Ky ka arritur në qeveri për të punuar haptas, jo në heshtje,” shtoi Haradinaj.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Kurti e ka zgjedhur ditën e përvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit për ta bërë publike letrën, gjë që sipas tij është e qëllimshme.
“Pse pikërisht sot, në ditën e vdekjes ose të vrasjes së Astrit Deharit, që ai e quan ‘vdekje’? Pse po e lë në heshtje tash e nëntë vjet zbulimin e asaj vrasjeje që pati kauzë? Nëse don me qenë në heshtje, atëherë është person i heshtjes, person i natës dhe i hijes,” deklaroi Haradinaj.
Në fund, ai shtoi se Kurti “nuk ka bërë asgjë konkrete për lirimin e shokëve” dhe se “ka zvogëluar buxhetin dhe mjetet financiare për këtë çështje”.
“Ky nuk ka bërë asgjë që ka mundur të bëjë. Vetëm ka lënë qasje në heshtje, pa bërë asgjë më shumë për lirimin e shokëve dhe duke zvogëluar buxhetin e mjeteve financiare,” përfundoi Haradinaj.






