Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për situatën aktuale politike në vend, duke thënë se Kosova po përballet me një gjendje të rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë, ndërsa institucionet vazhdojnë të mbeten në ngërç.
Në një postim publik, ai ka theksuar se vendi ndodhet në një situatë të pazakontë institucionale, me parlament të pezulluar dhe me afat të kaluar kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
“Sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë. Me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se kjo situatë është krijuar për shkak të interesave personale dhe partiake të atyre që sipas tij do të duhej të gjenin zgjidhje për krizën.
“Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake”, ka theksuar ai.
Haradinaj ka vlerësuar se Kosova ndodhet në një moment vendimtar dhe ka bërë thirrje për bashkim dhe tejkalim të dallimeve politike për të rikthyer normalitetin institucional.
“Si vend e si shoqëri jemi në metrat e fundit që t’i kthehemi normalitetit. Jemi në udhëkryqin e madh të një bashkimi të të gjithë atyre që sot janë në gjendje ta kalojnë veten e tyre për të mirën e përbashkët”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se Kosova historikisht ka pasur njerëz që kanë ditur të marrin vendime në momente të vështira dhe të rreshtohen me aleatët ndërkombëtarë.
“Kosova gjithmonë ka pasur njerëz që kanë ditur të pozicionohen drejt në momente të vështira… që kanë pasur vizion që në çastet më vendimtare të rreshtohen pas aleatëve në krye me Amerikën”, ka theksuar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka bërë thirrje për bashkim politik dhe shoqëror për të çuar vendin drejt integrimeve euroatlantike.
“Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër… që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së”, ka shtuar Ramush Haradinaj.






