Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, para nisjes së seancës konstituive, tha se partia e tij do të kërkojë një konsultim paraprak për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke përfshirë grupet parlamentare dhe VV-në, me qëllim që procesi të zhvillohet në mënyrë të koordinuar.
Sipas Haradinajt, AAK nuk mund të detyrojë Vetëvendosjen të propozojë një kandidat, por synon të diskutojë mundësinë e një kandidati unifikues, duke vlerësuar se ekzistojnë deputetë të VV-së që partia e tij do t’i mbështeste për këtë funksion.
“Sot përmes koleges tonë Time Kadrijajt, që është shefe e grupit, do të kërkojmë një konsultë përpara seancës më shafat e grupeve edhe kryesuesin, që të diskutojmë për kandidaturat, se kush mund të jetë një kandidat unifikues. Këtë mënyrë të përgatisim seancën, të mos shkojmë ashtu pa asnjë komunikim të ndërsjellët. Mirë është që të kemi informacion paraprak se kush do të jetë kryetar i Kuvendit. Për shkak se kryetari i Kuvendit ditën kur të zgjidhet është kryetar i të gjithëve. Ne nuk mund ta detyrojmë VV se kënd me propozuar. Por mund ta diskutojmë se kush mund të jetë kandidat unifikues. Ka plot deputetë të VV-së që ne do t’i kishim votuar”, tha ai.