Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj ka shkruar se presidentja e vendit nuk ka mandat të mandatojë askënd për krijimin e qeverisë pa dëshminë se kandidati i nominuar ka shumicën e nevojshme në Kuvend.
Ai ka theksuar se shumica e nevojshme provohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve dhe çdo veprim tjetër nga presidentja përbën shkelje të rëndë kushtetuese.
Haradinaj ka kritikuar kandidaturën e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje për qeveri, duke e quajtur përpjekje për të vazhduar “kapjen e institucioneve të shtetit” dhe në kundërshtim me normat kushtetuese dhe politike.
“Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”, shkroi ai.
Ai ka shtuar se “kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”.






