Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja, ka theksuar se prioritetet e tij janë rritja e pagave, stabilizimi i ekonomisë dhe sigurimi i një të ardhmeje pa rrezik për qytetarët e Kosovës. Ai ka premtuar se do të punojë për përshpejtimin e anëtarësimit në NATO dhe se nuk do të lejojë që vendi të gjendet në rrezik për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe pasigurisë ekonomike.
“Jam shumë i vendosur se çfarë duhet të bëj tani. Prioritet i imi është rritja e pagave. Kam marrë vendimin të bëj dy punë për të shpëtuar Kosovën. Gjendja është e rëndë dhe varësia nga çmimet e tregtarëve po e vështirëson jetën e qytetarëve. Nuk dua të lë fëmijët e Kosovës pa ngrohje për shkak të çmimeve të energjisë. E di që mund të nxjerr Kosovën nga kjo situatë. Votoni 129 që të dalim nga kjo krizë. Prioritet i dytë është të punojmë seriozisht për anëtarësimin në NATO. Ju lutem, me anëtarësimin në NATO, vendi ynë nuk do të jetë më në rrezik. Nuk e lë vendin tim në rrezik, nuk bëj sherre me askënd. Kam kaluar vitet me dhimbje dhe vuajtje; nuk dua të luftoj më. E di sa e tmerrshme është lufta, nuk e kam parë në televizion, e kam përjetuar vetë.”, tha Haradinaj në ”Click” të RTV21.






