Haradinaj: Intensiteti i luftës në zona kishte rënë, pa Betejën e Kosharës epilogu i luftës ka mundur të jetë më i keq

- Advertisement -

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit edhe ish -komandant i zonës operativë të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ka përkujtuar në manifestimin qendror dëshmorët e betejes së Kosharës të vitit 1999, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se po të mos ishte kjo betejë, marrëveshja e Kumanovës e cila u arrit më 9 qershor të vitit 1999 nuk do të ishte e njëjtë.

“Është në nder tonin të vijmë çdo vit këtu e të jetojmë me ndjenjën e asaj sakrifice, të asaj lufte heroike dhe të atij kontributi të madh për çlirimin e atdheut të bërë mos të them qindra mijëra luftëtarë të brigadës 138 Agim Ramadani, edhe është poashtu nder të qëndrojmë para familjes së dëshmorëve, para familjes së Salih Çekut, Agim Ramadanit, Xhemajl Fetahaj e të 114 të tjerëve që dhanë jetën pra mu këtu në trojet tona, në kufirin që padrejtësisht na kanë nda aq gjatë dhe që u bë themel i lirisë sonë. Në i nderojmë të gjallët Salih Çeku, faleminderit që je prezent, Ali Ahmeti faleminderit shumë, edhe shumë bashkëluftëtarë nga të gjitha trojet tona shqiptare. Nëse veçojmë pak fjalë, e mos me i përsërit ato që I kemi thënë çdo vit, se çdo vit bashkohemi këtu. Ndoshta është me rëndësi ta kthejmë në kujtesë 9 qershori, marrëveshja e Kumanovës, ka mund të mos jetë e tillë, sikur mos të ishte lufta e Koshares. Pra një epilog i luftës do të arrihej, por pa luftën e brigadës së Koshares, pa këtë intensitet të sulmi, pa këtë intensitet të goditjes së armikut, pa depërtimin frontal e marrjes së një pjesë të territorit në përgjithësi të armikut, është e mundur që 9 qershori marrëveshja e Kumanovës ka mund të jetë tjetër, më e keqe”, tha Haradinaj.

Ish-komandanti i Brigadës 123 të UÇK-së, Rrustem Berisha, ka theksuar se suksesi i Betejës së Koshares ishte rezultat i përgatitjeve të gjata dhe organizimit të mirë ushtarak.

Ai tha se thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar nuk ishte rastësi, por rezultat i një pune të vazhdueshme dhe i vendosmërisë së luftëtarëve në terren.

“Pa përgaditje të mëdha nuk ka fitore të madhe. Heqja e kufirit me luft nuk ishte rastësi, por ishte fryt i përgatitjeve të palodhshme, i guximit dhe i vendosmërisë së luftëtarëve tanë. Kjo u dëshmua më së miri në frontin e Koshares, ku vullneti për liri u shndërrua në vepër dhe në veprim të organizuar ushtarak, dhe në një operacion historik për heqjen e kufirit. Janë disa faktorë kyç që ndikuan drejtpërdrejt në suksesin e këtij fronti. Siç janë përzgjedhja e drejtimit të sulmit, unifikimi i forcave, përvoja e njësive të grupit të tretë operativ dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë në luftën e zhvilluar në vitin 1998, rritja e kapaciteteve, përgatitjet, trajnimet intensive, si dhe hartimi i planit operativ për heqjen e kufirit, që u hartua nga komanda e përparuar e udhëhequr nga Agim Ramadani, dhe u prezantua bashkë Agimi me Saliun dhe e miratova unë si komandant i grupit të tretë operativ. Zbatimi i këtij plani operacional shënon fillimin e një ndër ofanzivave më të rëndësishme të luftës”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit