I pari i AAK-së, njëherëshit edhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, Ramush Haradinaj kritikoi ashpër qeverisjen e kryeministrit aktual, Albin Kurtit.
Haradinaj i ftuar në emisionin ‘Politiko’ me Kushtrim Sadiku, deklaroi se kryeministri Kurti në veri punoi i vetëm, pa ndonjë plan të koordinuar me aleatët ndërkombëtar e në veçanti Amerikën.
“Për fat të keq kryeministri i Kosovës nuk deshi të ndante meritën me aleatët për sukses, ka pasur dëshirë të jetë i vetëm që kryen punë. Tani mund të shtojmë shumë dilema përse ka vepruar kështu, unë i kam mësuar të miat me kohë por ai nuk ka pranuar me punu në një plan të përbashkët me Amerikën në veri, e që sot do të rezultonte me të gjitha këto çështje të kryera në veri me rend e ligj. Por edhe një pranim ndërkombëtar të sukseseve të Kosovës në veri, që do rezultonte me antarësim në KE, kandidaturë për BE dhe anëtarsim në NATO, pra Kurti me politikën e vet të showbizzit, fotove e të suksesit të ditës e fuqizoi Serbinë, e bëri pra si partner më serioz tek aleatët tanë”deklaroi Haradinaj.