Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, si e vlerësoni situatën aktuale në veriun e Kosovës dhe cila është rrugëdalja?
Ramush Haradinaj: Mendoj që është një situatë jo e mirë edhe kthim prapa, ky kthim prapa fillon me kursin e marrë nga kryeministri i Kosovës për planin për tabelat, duke mos përcjellur propozimin amerikan, por gjithashtu edhe me një agjendë mjaft djallëzore të Serbisë që nëpërmjet grupeve kriminale në veri po vazhdon ta destabilizojë veriun e vendit.
Zëri i Amerikës: Si të tejkalohet kjo?
Ramush Haradinaj: Besoj që rrugëdalja nga kjo gjendje është kthimi pikërisht atje te pikënisja, te propozimi amerikan për tabelat në atë kohë, por që tani nënkupton kthimin te marrëveshja finale pra bazike dhe jo te ajo lufta kush kënd e mund me veprime në terren, për shkak se lufta guerile me veprime gjoja të fitohet epërsi në terren, mund të dalë nga kontrolli dhe të krijojë pasiguri më të madhe.
Zëri i Amerikës: A është në teh që të ndodhë një gjë e tillë zoti Haradinaj nga pikëpamja juaj?
Ramush Haradinaj: Besoj që tanimë vetëm hetohet se edhe Prishtina zyrtare e kupton që kjo është një lojë djallëzore për të nxitur kundërveprime, ose reagimi të nxisë veprim dhe kësisoj çdoherë një pjesë të përgjegjësisë ta mbajë Prishtina për eskalimin e mëtutjeshëm të mundshëm të situatës në veri, edhe ashtu situata nuk është e mirë. Besoj që është mirë që Prishtina zyrtare është përmbajtur këtë kohën e fundit dhe ka një koordinim me aleatët, mirëpo është me rëndësi edhe me shumë interes besoj që të hiqen barrikadat, është një njollë për Kosovën, për rajonin, për Evropën.
Barrikadat …. njollë për Kosovën, për rajonin, për Evropën
Pra përpos Ukrainës ku po ndodhë agresioni rus, situata të tillë si pozicione në front nuk ka në Evropë dhe mendoj që serbët e Kosovës po i bëjnë dëm vetes edhe i lus e ju bëj thirrje që t’i heqin këto barrikada. Kuptohet të gjitha shqetësimet e tyre do të trajtohen me respekt e kujdes si nga Kosova por edhe nga faktorët ndërkombëtarë.
Zëri i Amerikës: Si të hiqen ato zoti Haradinaj, nëse serbët nuk i heqin?
Ramush Haradinaj: Besoj që barrikadat janë së pari në mendje, në bindje dhe besoj që një dialog më intensiv me serbët lokal është i nevojshëm. Pra pa paragjykimi se kush janë ata serbë dhe çfarë përfaqësojnë, kushdo që ka pushtet mbi barrikaduesit, mbi ata që kanë vendosur barrikadat, mendoj që duhet të vendoset dialog intensiv që të sqarohen ata edhe të sqarohet çdo, po e quaj ashtu paqartësi për të ardhmen, por barrikadat duhet t’i heqin vet serbët, vet ata që i kanë vendosur.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj thatë se duhet të trajtohen kërkesat e tyre, kërkesa themelore që është përsëritur madje edhe nga Beogradi është që heqja e barrikadave dhe kthimi i serbëve në institucione mund të ndodhë vetëm me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një kërkesë që është theksuar fuqishëm edhe nga administrata amerikane. Si të veprohet?
Ramush Haradinaj: Besoj që bëhet fjalë për dy etapa, pra një etapë është vetëm heqja e barrikadave, qarkullimi i lirë, jeta, kthimi në shkolla, kthimi në jetë ta quaj ashtu ajo baza e parë. Kjo lidhet me këto arrestimet e fundit të këtyre policëve dhe personave të tjerë që i ndjek drejtësia, shpresoj të gjendet një formulë që drejtësia ta kryejë misionin e vet, por edhe qytetarët serbë dhe barrikaduesit ta kuptojnë se nuk është kundër tyre dhe të hiqen barrikadat. Ndërsa po është thënë që kthimi në institucione do të ndërlidhet me Asociacionin, por me siguri që këto janë procese të dyja, edhe kthimi edhe Asociacioni nuk janë çështje që zgjidhen njëherësh ose për një ditë. Mendoj se sa i përket Asociacionit zgjidhja vjen me marrëveshjen finale, ndërsa kthimi në institucione është një proces i brendshëm që duhet të ndodhë edhe Prishtina duhet të intensifikojë një dialog të brendshëm me serbët lokal.
Zëri i Amerikës: Por edhe i dërguari amerikan, Gabriel Ecsobar, ka kërkuar që menjëherë të fillohet me diskutimet për themelimin e Asociacionit, madje edhe para asaj marrëveshje bazike që mund të pritet të diskutohet më vonë.
Ramush Haradinaj: Tani ka fituar në peshë Asociacioni dhe ky ka qenë edhe shqetësimi im në të kaluarën, e kam lutur edhe kryeministrin Kurti që të ketë kujdes nga këto veprimet e njëanshme, për shkak se pastaj do të ketë edhe kërkesa ta quajmë ashtu të njëanshme. Ne tani kemi arritur në situatën kur veçse hetohet një qasje ndëshkuese ndaj qeverisë dhe kryeministrit për veprimet e tij të njëanshme ose befasuese në terren.
Zëri i Amerikës: Qasje ndëshkuese nga administrata amerikane?
Ramush Haradinaj: Po, administrata amerikane ka një qasje deri diku edukuese ose ndëshkuese ndaj Prishtinës zyrtare dhe kryeministrit, sepse këto kërkesa janë të reja krahasuar me kërkesat e mëhershme para planit të tabelave, kur kërkesë ishte vetëm përqendrimi në marrëveshjen finale që në qendër e ka njohjen. Tani kjo është kërkesë e re që buron nga gjendja në teren dhe veprimet e njëanshme të kryeministrit. Por rrugëdaljen e shoh në rikthim, pra jo në përqendrimin vetëm në Asociacionin, por rikthim në pikënisje, siç thashë më herët, qoftë edhe në periudhën para planit të tabelave, planit të famshëm 21 ditësh, por rikthim te marrëveshja bazike.
Zëri i Amerikës: Por kryeministri në një mënyrë u rikthye, ai në fund pranoi të gjitha kërkesat amerikane. A nuk i plotësoi ato kërkesa, nuk e hapi rrugën për një qasje tjetër?
Ramush Haradinaj: Me thënë të drejtën jo, këto janë vetëm situata faktike por kryeministri ende vazhdon me një lloj taktike guerile ndaj administratës amerikane, pra veprimet e tij janë kryesisht një lloj ecje në mënyrën e tij, por meqenëse nuk po arrin efektin në terren atëherë situata po ngec edhe po ndodhë ajo që ndoshta edhe është ditur që do të ndodhë. Mendoj që kryeministri duhet në aspektin de jure të ulet dhe t’iu sqarojë amerikanëve se ‘pranoj vizionin e juaj për tejkalimin e gjendjes në veri, kërkoj ndihmën tuaj, urdhëroni ta bëjmë një plan trepikësh’, pra heqja e barrikadave e çfarë kërkohet për të, kthimi në punë i të gjithëve, pra kthimi në normalitet, pagesa e faturave të rrymës tash është problem e kështu me radhë, e kuptohet si të kthehen këto tri pika ta zëmë të jenë plani deri te rikthimi në marrëveshjen bazike. Por, nuk mundet kryeministri të vazhdojë me qasjen e tij ta zëmë të veprimeve të veta, e pastaj të pres që KFOR-i të ja kryej punët e të ja heqin barrikadat, ose amerikanët të ja disiplinojnë serbët, mendoj që qasja e kryeministrit duhet të ndryshoj de jure.
Zëri i Amerikës: Cili është roli i opozitës në këtë mes? Çfarë po bën opozita për ta ndihmuar qeverinë apo prisni të përfitoni nga pak nga dështimet siç vlerësoni ju të kryeministrit?
Ramush Haradinaj: Kemi bërë mjaft kujdes që ta ruajmë gjendjen në veri pra të mos del në plotni prej kontrollit, të paktën të mos ketë viktima. Personalisht kam qenë mjaft i angazhuar për shkak edhe të punëve që kam kryer në të kaluarën duke qenë kryetar qeverie, duke pasur një besim të ndërsjellë si të serbëve atje lokal por edhe si të institucioneve tona të sigurisë e aleatëve tanë. Kam qenë mjaft i angazhuar që situata të ruhet, pra ajo korniza e gjerë e sigurisë të ruhet edhe të mos ketë eskalim më të keq edhe vazhdojmë me qenë aktiv mirëpo ne të gjithë suksesin e kemi varur nga sjellja e kryeministrit. Pra kishim mundur të bëjmë më shumë sikur të kishim një kryeministër më bashkëpunues, më të kujdesshëm në veprime. Pra çdo herë ekziston mundësia e minimizimit të pasojave në çdo plan operativ dhe dihet mirëfilli që fuqitë më të mëdha e përdorin forcën e butë ndërsa këtu kemi të bëjmë me një vend që nuk e ka fuqinë aq të madhe në instancat e rendit dhe ligjit e sigurisë edhe shkon drejt në të fortën, pa i dhënë përparësi forcës së butë.
Zëri i Amerikës: Disa herë e thatë që duhet kthyer te marrëveshja bazike duke ju referuar sigurisht propozimit evropian që u bë i njohur fillimisht si plani franko-gjerman për një marrëveshje që nuk parasheh njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por një zotim që nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Ju e keni parë marrëveshjen, e keni lexuar e mbase edhe e keni, si e shihni ju atë, a është brumë për të ofruar një zgjidhje?
Ramush Haradinaj: Së pari besoj se ky propozim është edhe amerikan për të mos thënë amerikan por edhe amerikan. E mirëpresim avancimin deri në këtë nivel, pra deri në një propozim marrëveshje. Mendoj se është punë e madhe e jashtëzakonshme e
Me propozimin (franko-gjerman) Serbia në planin ndërkombëtar e njeh Kosovën
arritur e madhe, është një shkencë brenda këtij dokumenti, shkencë sepse me të vërtetë ndodh njohja e Kosovës nga Serbia edhe de fakto edhe de jure përpos marrëdhënieve bilaterale Serbia me këtë marrëveshje në planin ndërkombëtarë e njeh Kosovën, ja njeh të drejtat për ecje përpara edhe për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare por po ashtu merr obligim mos me pengu këtë ecje e që është diçka e mrekullueshme. Kuptohet Kosova merr obligime të veta për të drejtat e serbëve të Kosovës, marrëveshjet e mëhershme janë të gjitha obligim edhe Asociacioni edhe statusi i Kishës serbe që zgjidhet në bazë të ligjit për liritë fetare në Kosovë, pra është një bazë e mirë për t’u përballur, për t’u divorcuar ta quajmë ashtu, me Serbinë në planin ndërkombëtar.
Zëri i Amerikës: Megjithatë në propozim askund nuk përmendet njohja e ndërsjellë. Zakonisht edhe në qëndrimet amerikane është thënë që duhet të jetë një marrëveshje e përqendruar në njohje të ndërsjellë. Mungesa e kësaj kërkese…
Ramush Haradinaj: Terminologjia e marrëveshjes e kapitullit të parë, të dytë e me radhë krejt kjo terminologji është njohje, pra shtetet rregullojnë marrëdhëniet në bazë të asaj apo kësaj, krejt është njohje prandaj thash është një shkencë në vete ku e gjithë terminologjia është njohje.
Zëri i Amerikës: Dhe kjo situatë aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këto tensione a rrezikojnë që të shtyjnë procesin e bisedimeve rreth kësaj marrëveshje?
Ramush Haradinaj: Ne i kemi dëgjuar disa qëndrime të ndryshme të institucioneve të Serbisë që nuk pajtohen, nuk ju pëlqen po prapë besoj se ka bazë reale që mu arrit kjo marrëveshje dhe mendoj që edhe Kosova duhet të bëj kujdes pra që të mos merr veprime tjera që kishin pas m’u shfrytëzu si arsye për mos me ardhë deri te marrëveshja ose të mos ndodh takimi final për marrëveshje. Ndonjëherë e kam një përshtypje se këto që ndodhin në veri janë skenarë serbo-rusë me i ik pra arritjes së marrëveshjes.
Zëri i Amerikës: Dhe kur po i kërkoni Kosovës që të jetë e kujdesshme po i thoni kryeministrit mos ndërhyni për të hequr barrikadat?
Ramush Haradinaj: Kam qenë kryeministër dhe unë kam ndërhy dhe i kam largu barrikadat, por ka qenë situatë tjetër, marrëdhënie tjetër me aleatët edhe kontekst krejt tjetër i situatës së sigurisë. Në kontekstin e sotëm situata e sigurisë nuk mendoj që është veprim i mençur veprimi i njëanshëm, pra qeveria duhet t’i largojë nëse e sheh që është e pashmangshme, por duhet ta bëj në koordinim me aleatët tonë.
Zëri i Amerikës: A ju kujtojnë veprimet aktuale të kryeministrit Kurti veprimet tuaja një kohë në raport edhe me aleatët ndërkombëtar rreth tarifave. A nuk ishte diçka e ngjashme, a shihni ngjashmëri?
Ramush Haradinaj: Jo, në atë kohë taksa nuk prek në situatën e sigurisë, nuk ka pasur asnjë shqetësim në siguri sikurse e dini ka qenë funksionale çdo gjë si rendi, ligji e siguria, ka qenë një betejë politike dhe ekonomike me Serbinë si një lloj përgjigje për sulmet që bejke Serbia ndaj pjesëtarëve të ushtrisë tonë të përkatësisë serbe. Kanë ndodhur disa kërcënime të ushtarëve dhe familjeve të tyre mirëpo kjo është situatë ndryshe për shkak se kjo prek në siguri, pra është direkt e lidhur me siguri, kjo dallon shumë dhe i kam thënë edhe (Albin) Kurtit dhe përkrahësve të tij që mos e merrni shembullin tim, mos boni analogji sepse nuk është situate e njëjtë. /VOA/