Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se diskutimet për Asociacionin kanë synim heqjen e pengesave drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë për njohje të ndërsjellë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se Asociacioni është obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Prandaj të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe”, ka shkruar Haradinaj.
“Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”, shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë.
Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet.
Prandaj të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe.
Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe Kryeministri i Kosovës.
Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan.
Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE.