Deputeti i pavarur, Haki Abazi, thotë se çështja e hapjes së Urës së Ibrit është tentim populizmi nga kryeministri Albin Kurti për nevoja elektorale.
Abazi tha se çështja e urës nuk duhet të bëhet “thembra e Akilit” mes marrëdhënieve të Kosovës me KFOR-in dhe NATO-n.
“Kjo është temë që përfshihet përbrenda zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel edhe Ohër. Mendoj që ka një tentim populizmi për nevoja elektorale. Ideja është që ia po u hapka kjo urë në veri, shumë mirë, por kjo nuk duhet të bëhet ‘thembra e Akilit’ e marrëdhënieve tona me KFOR-in dhe NATO-n, sidomos tani kur çështjet e sigurisë janë të diskutuara gjithandej”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Deputeti i pavarur thotë se Kosova nuk mund të përplaset me akterët ndërkombëtarë, derisa ndodhet edhe nën masa ndëshkuese.
“S’mund të jemi naiv, të themi që mund të përplasemi me akterët ndërkombëtarë dhe të mos kemi pasoja. Ne veç jemi nën sanksione, ne kemi pasoja financiare nga masat e BE-së”, deklaroi ai.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë për Tëvë1 se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë të Veriut do të bëhet këtë verë.
Lidhur me deklaratat se së shpejti do të hapet Ura e Ibrit ka reaguar edhe BE-ja, duke thënë se kjo çështje zgjidhet me dialog.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media theksoi se hapja e urës në Mitrovicë është në fakt subjekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut, vitit 2015 dhe 2016.
“Dhe pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian si lehtësues, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim. Dhe meqenëse kjo është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe merret në dialog…”, u shpreh Stano.
Sipas tij, të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen.