11.8 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Hapja e Urës së Ibrit | KFOR-i paralajmëron sërish se s’do të ngurrojë të ndërmarrë masa

- Advertisement -

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi përsëri të mërkurën se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Në një komunikatë për media, KFOR-i tha se trupat e saj patrulluan gjatë një proteste të mërkurën paradite në afërsi të urës mbi lumin Ibër në pjesën e Mitrovicës së Veriut.

“Trupat e KFOR-it ishin në vendin e ngjarjes dhe kryen patrullime në zonat përreth, për të garantuar një mjedis të sigurt. Demonstrata përfundoi pa ndonjë shqetësim për sigurinë”, thuhet në njoftim.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër hapjes së urës mbi Ibër, pas paralajmërimit të autoriteteve kosovare se do ta bëjnë një gjë të tillë.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.

Pas përfundimit të protestës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb të mërkurën të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, në të cilin tha se mund të njoftohen “mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Ditë më parë, KFOR-i tha se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Synimet e autoriteteve të Kosovës për hapjen e urës, si dhe mbyllja e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës më 5 gusht, janë dënuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe janë kundërshtuar ashpër nga Serbia dhe nga serbët e Kosovës.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, me të cilat thotë se bashkëpunon ngushtë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit