-8 C
New York
Sunday, December 22, 2024

Buy now

Hapet thirrje për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për familje

- Advertisement -

Nën organizimin e Ministrisë së Ekonomisë, sot u lansua thirrja e re për subvencionimin dhe mbështetjen e konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje, në kuadër të pakos emergjente për energji, e mbështetur nga Komisioni Evropian.

 

Me këtë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti që ishte i pranishëm në hapjen e thirrjes, teksa ftoi të gjithë qytetarët të aplikojnë në këtë mundësi, veçoi se në 12 thirrjet e deritanishme për eifiçiencë janë përkrahur rreth 40 mijë familje me rreth 40 milionë euro. Si rezultat, faturat e energjisë elektrike të atyre që deri më tani kanë përfituar nga këto masa ka qenë mesatarisht 19% më të ulëta. 

 

Masat e prezantuara sot, synojnë mbështetjen e afër 10,000 konsumatorë familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të cilat përfshijnë:

 

  • Pompë termike, për të cilën vlera e subvencionimit për një pajisje është 30% e vlerës investive, apo deri në 2,000.00 €.
  • Kondicioner/ klimë efiçiente, për të cilën vlera e subvencionimit për një pajisje është 40% e vlerës investive apo deri në 400.00 €, kurse për prindërit vetushqyes dhe për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) vlera e subvencionimit është 60% e vlerës investive apo deri në 550.00 €.
  • Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), për të cilën vlera e subvencionit është 70% e vlerës investive dhe deri në 1200.00 €.
  • Stufa individuale me biomasë, për të cilën vlera e subvencionimit për një pajisje është 70% e vlerës investive dhe deri në 435.00 €, kurse për prindërit vetushqyes dhe për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) vlera e subvencionimit është 90% e vlerës investive dhe deri në 560.00 €


Vërejtje: Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes, nuk do të subvencionohen. Qytetarët që kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente, të njërës nga thirrjet publike: thirrjes publike Nr. 02/2022, më datë 06.10.2022; thirrjes publike Nr.03/2022, më datë 18.11.2022, ose; thirrjes publike Nr.03/2023, më datë 22.09.2023, nuk kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të thirrjes publike Nr. 05/2024.

Afati për aplikim është tridhjetë (30) ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 11 tetor të vitit 2024, ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI” andaj inkurajoheni të aplikoni sa më herët.

 

Aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova:   https://ekosova.rks-gov.net/472
Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun:  https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/09/Thirrje-publike-Investimi-ne-pajisje-ngrohese-eficiente-2-elektoruar-12.09.2024.pdf?fbclid=IwY2xjawFPjmlleHRuA2FlbQIxMAABHT_efWaBycQ6EQPmVeMh5S6i8NWEvRBR4FmHOMtyXiVTvJ927tAG4rHm_w_aem_TKOB1sT2EWBt0yybhtvLKA

Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën: [email protected]
Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.

 

 

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Jemi bashkë këtu me Ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, që të hapim thirrjen e re për subvencionim të të gjitha familjeve të vendit për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje në mënyrë që teksa temperaturat kanë filluar të ulen, të gjithë të kenë mundësi e përkrahje që shtëpitë e tyre ti mbajnë të ngrohta.

Thirrjet e këtilla të subvencionit e di që janë bërë të shpeshta, sot është e 13-ta me radhë, mirëpo kjo nuk i bën ato më pak të rëndësishme. Përkundrazi, tashmë kemi përkrahur rreth 40 mijë familje të vendit tonë me rreth 40 milionë euro, disa prej tyre për të blerë pikërisht pajisje të këtilla për ngrohje, disa për të blerë pajisje elektroshtëpiake si rrobalarëse e frigoriferë efiçientë, disa për t’i izoluar shtëpitë e për t’i ndërruar dyert e dritaret e tyre, e disa për të instaluar sisteme diellore për ngrohje të ujit e prodhim të energjisë.

Për këto familje kjo verë që kemi lënë pas ka qenë më e freskët e dimri që kemi përpara do të jetë më i ngrohtë. Përditshmëria e tyre është më e lehtë dhe më e rehatshme. E në të njejtën kohë, faturat e tyre të energjisë elektrike janë më të ulëta mesatarisht për 19%.

Një gjë të tillë po synojmë ta ofrojmë edhe për afro 10,000 familje tjera nëpërmjet kësaj thirrje të cilën po e hapim sot.

Krahas përkrahjes për familjet e bizneset e vendit tonë, rritja e efiçiencës çon peshë të madhe për kursimin e buxhetit të shtetit. Sa për ilustrim, me kursimin që kanë bërë 10 mijë familjet që kanë përfituar nga thirrja e parë e subvencionit, në vendin tonë gjatë sezonës së dimrit 2022-2023 janë shpenzuar 14 giga vat orë më pak e si rrjedhojë i kemi kursyer rreth 1.8 milionë euro të buxhetit të shtetit në import të energjisë elektrike. Numri i familjeve përfituese në ndërkohë është katër-fishuar e kursimi vazhdon pasi këto janë investime që mbeten që e rrisin rahatinë dhe i ulin shpenzimet vit pas viti. E kursimet që shkojnë duke u shtuar na mundësojnë që të rrisim edhe më tej investimet në efiçiencë  në çdo sektor tjetër.

E tash do t’iu drejtohem edhe bashkëqytetarëve tanë serb, të cilët po ashtu do të mund të aplikojnë natyrisht jo vetëm ata por edhe boshnjakë e të pakicave tjera kombëtare si për shembull turq, romë, ashkalinj, egjiptianë, goranët por edhe ata malazez e kroat të cilët gjithashtu janë bashkëqytetarë tanë.

Dua të falënderoj me këtë rast Bashkimin Evropian për mbështetjen financiare prej  75 milionë euro, për masat që lehtësojnë përballjen me krizën energjetike e që implementohen nga Ministria e Ekonomisë, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, si dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Gjithashtu dua të përgëzoj stafin e Ministrisë së Ekonomisë që janë këtu rrotull nesh, një pjesë të tyre edhe po i shoh për një punë me të vërtetë të shkëlqyeshme me këto masa e me këtë përkrahje direkte të familjeve.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit