Bashkimi Evropian ka mirëpritur nënshkrimin e një kontrate komerciale mes Kompanisë energjetike të Kosovës, KEDS, dhe kompanisë Elektrosever.
Në një komunikatë, Bashkimi Evropian ka shprehur gëzimin për këtë zhvillim, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.
Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, e ka quajtur “hap të rëndësishëm” nënshkrimin e marrëveshjes duke thënë se shënon përkushtimin drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përcjell Klan Kosova.
“Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, thuhet më tej.
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka bërë të ditur sot se kompania serbe, Elektrosever, ka bërë nënshkrimin e kontratës komerciale për energjinë me kompaninë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS).
“Ky është hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit të Energjisë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në rrjetin social X.
Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji.