Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video ku prezanton një nga pesë zotimet e tij kryesore, me fokus të drejtpërdrejtë lehtësimin e barrës për punëtorët dhe familjet e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Hamza thekson se rritja e kostos së jetesës dhe e çmimeve po e zvogëlon pagën reale të punëtorëve, duke premtuar reformë të drejtpërdrejtë tatimore si Kryeministër.
“E di që kostoja e jetesës është rritur dhe familjet tuaja e ndjejnë këtë barrë çdo muaj. Paga juaj reale zvogëlohet nga tatimet, ndërsa çmimet vetëm sa shkojnë e rriten,” shprehet Hamza.
Sipas planit të prezantuar në video, Qeveria Hamza do të zbatojë një sistem të ri tatimi në paga:
“Pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen fare. Pagat nga 400 deri në 800 euro do të tatohen me 8%. Pagat mbi 800 euro do të tatohen me 10%”, ka shpjeguar Hamza.
Hamza thekson se ky model synon rritjen e të ardhurave reale dhe përmirësimin e mirëqenies familjare, duke e bërë shtetin aleat të punës dhe punëtorit.
“Më shumë të ardhura dhe më shumë mirëqenie për familjen tuaj. Sepse, me mua Kryeministër, puna do të shpërblehet më shumë,” deklaron ai.
Në përmbyllje të videos, Hamza nënvizon se ky është misioni i tij politik, duke përsëritur sloganin e fushatës: “Bashkë. Përpara.”
Link: https://www.facebook.com/share/v/185JK2GHjd/?mibextid=wwXIfr






