Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për herë të parë pas marrjes së besimit nga delegatët, duke komentuar deklaratat dhe kritikat e nënkryetarit Enver Hoxhaj lidhur me mënyrën se si u menaxhua situata pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.
Kreu i ri i PDK-së tha se ai nuk ka qenë ai faktor për shtyrjen apo ndryshimin e konventës, duke thënë se as ai dhe askush tjetër nuk mund të veprojë jashtë statutit të partisë.
“Statuti thotë që Konventa e jashtëzakonshme organizohet brenda pesë ditëve. Brenda atyre pesë ditëve, kandidatët e interesuar i mbledhin 50 nënshkrime që kërkohen për ta fituar të drejtën me qenë kandidat në garë. Realisht, nëse janë 600 delegatë të Konventës, kanë mundur me qenë diku 12 kandidatë në garë nëse do të arrinin t’i kenin nënshkrimet. Sot ka mundur me qenë kushdo në garë dhe unë do ta mirëprisja. Unë s’kam qenë faktori dhe adresa që mund ta shtyjë Konventën e jashtëzakonshme sepse janë procedurat. Nëse s’i respektojmë procedurat brenda subjektit politik, sigurisht se pastaj mund të mos i respektojmë edhe në shtet.” – tha Hamza.






