Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Arian Tahirit për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari aktual i komunës, Bedri Hamza, i cili ka deklaruar mbështetjen e tij të plotë për kandidatin e ri të partisë.
“Arian Tahiri është kryetari i ardhshëm i Mitrovicës! Sot, zyrtarisht mbështes të ardhmen. Nga sot, Mitrovicës ia ofrojmë Arian Tahirin si kandidat për të udhëhequr me qytetin tonë të zemrës. Duhet dije për të udhëhequr. Duhet zemër. Duhet përkushtim. Arian Tahiri i ka të gjitha!”, ka shkruar ai.
Hamza tha se Tahiri vjen nga bota akademike, është doktor i shkencave dhe përfaqëson një brez të ri politikanësh që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi publike.
“Si doktor shkence, ai i takon brezit të ri që nuk heziton të marrë përgjegjësi dhe ndjehem mirë që përgjegjësinë për t’i shërbyer Mitrovicës po ia lë dikujt që e meriton. Ariani e do shumë Mitrovicën. Është i arsimuar, i vendosur dhe shumë i përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve dhe qytetit tonë, ku ai ka lindur, punon e jeton. Që nga dita e parë kur jemi takuar, gjithnjë e ka pasur besimin dhe mbështetjen time të parezervë. Të tillë do ta ketë edhe tash kur ai po nis një rrugëtim të ri, që jam i sigurt se do të na bëjë të gjithëve krenarë!”, shkroi tutje ai.
“Unë e mbështes me gjithë zemër. Mbështetne edhe ju! Besoni në Arian Tahirin! Ecim përpara së bashku!”, u shpreh Hamza