Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka bërë me dije se kjo parti çdoherë është e gatshme për zgjedhje nacionale.
Derisa ka vizituar Komunën e Prizrenit, e cila qeveriset nga kjo parti, ai është zotuar se do t`i ofroj Kosovës një qeveri kompetente.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka paralajmëruar se programin e tij qeverisës do ta publikoj se shpejti.
“Në kuadër të vizitave mobilizuese në terren, sot bashkë me Uranin i vizituam Shaqën e Kujtimin në Prizren dhe dolëm pak në Shatërvanin e bukur. PDK-ja, e cila ka dalë e para në zgjedhjet lokale, ka qenë dhe është çdoherë e gatshme për zgjedhje të reja. Vendit do t’ia ofrojmë një qeveri kompetente, të përgjegjshme para qytetarëve dhe aleatëve tanë, me një program konkret, të realizueshëm dhe me indikatorë të matshëm, të cilin do ta prezantojmë gjatë muajve të ardhshëm”, ka shkruar Hamza.
Ai e ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se e ka sjell vendin në gjendje të pashpresë.
“Së bashku me çdo njeri vullnetmirë, me çdo qytetar që është lodhur nga kjo gjendje e pashpresë dhe dëshiron një jetë më të mirë këtu, në vendin tonë, ne do ta bëjmë ndryshimin”, ka shkruar Hamza.