Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë, duke përmendur përgjegjësinë e legjislaturës së re për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe forcim të shtetit.
“Është nder dhe përgjegjësi e madhe që sot të fillojmë punën në këtë legjislaturë, në një moment kur qytetarët presin stabilitet, zhvillim ekonomik dhe institucione që punojnë me integritet dhe profesionalizëm, duke respektuar trashëgiminë e demokracisë dhe lirisë, e cila këto ditë po mbrohet edhe në gjykimin e themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Ai e cilësoi seancën si dëshmi të rrugëtimit të vështirë të shtetndërtimit të Kosovës.
“Kjo seancë themeltare e legjislaturës së dhjetë është dëshmi e rrugës së vështirë që ka kaluar Kosova për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë e saj. Sot detyra jonë është që këtë shtet ta forcojmë më tej përmes mbrojtjes së të vërtetës dhe drejtësisë në Hagë, si një temë që sot dominon vëmendjen dhe ndërgjegjen e kujtdo që respekton luftën për liri dhe pavarësi”, tha Hamza.
Hamza foli edhe për prioritetet që duhet të udhëheqin punën e deputetëve.
“Kontributi ynë si deputetë në muajt dhe vitet e ardhshme duhet të bëhet patjetër përmes politikave të përgjegjshme ekonomike, përmes mbështetjes së sektorit privat, përmes rritjes së mirëqenies sociale dhe një diplomacie më të urtë, të fokusuar në kthimin e mirëbesimit me aleatët, si dhe përmes garantimit të sundimit të ligjit për çdo qytetar. Partia Demokratike e Kosovës dhe deputetët tanë do të jenë në ballë të ruajtjes së këtyre vlerave që synojnë ngritjen e standardit për të gjithë qytetarët dhe ngritjen e Kosovës në skenën ndërkombëtare, në këtë situatë mjaft të komplikuar gjeopolitike”, tha Hamza.






