Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe institucioneve të Bashkimit Evropian, përmes së cilës ka kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave ndaj Kosovës.
Hamza ka bërë të ditur këtë veprim edhe përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se qytetarët e Kosovës, që sipas tij janë ndër më proevropianët në rajon, nuk duhet të ndëshkohen për shkak të një qeverie të papërgjegjshme, raporton Klankosova.tv.
“Si Kryetar i PDK-së dhe kryeministër i ardhshëm, i jam drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe institucioneve të BE-së, duke kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave ndaj Kosovës”, ka shkruar Hamza.
Ai ka shkruar njëherësh se Kosova ka kaluar një periudhë me zgjedhje të njëpasnjëshme, duke dëshmuar pjekuri të lartë demokratike, ndërsa masat aktuale të BE-së i ka cilësuar të pajustifikueshme dhe të dëmshme për zhvillimin ekonomik, integrimin evropian dhe stabilitetin politik të vendit.
“Qytetarët tanë, ndër më proevropianët në rajon, nuk duhet të ndëshkohen për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Masat aktuale të BE-së janë të pajustifikueshme dhe po e dëmtojnë vendin në një periudhë kur kemi nevojë për zhvillim ekonomik, integrim evropian dhe stabilitet politik.
Është koha për një kapitull të ri në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, shkroi i pari i PDK-së






