Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm në Washington me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, në funksion të forcimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hamza u prit nga Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe nga Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Në takim u diskutua për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, ndërsa Hamza theksoi nevojën që institucionet kosovare të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në, përshpejtimin e reformave dhe krijimin e një agjende të qartë të zhvillimit ekonomik.
Ai u garantoi zyrtarëve amerikanë se për të dhe për PDK-në, interesi shtetëror është prioritet mbi gjithçka, duke u zotuar për rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të raporteve me partnerët ndërkombëtarë.
Hamza theksoi se Kosova është e bekuar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe se kjo përkrahje mbetet thelbësore në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.






