Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, kritikoi ashpër Albin Kurtin, duke theksuar se programi i PDK-së është i bazuar në llogari të sakta buxhetore dhe jo në premtime të pambuluara financiarisht.
“Programi ynë nuk është ‘fontanë dëshirash’, por një plan i mirë i kalkuluar. Buxheti e mban – sa më shumë ka rritje ekonomike, aq më shumë rritet buxheti. Rritja ekonomike e realizuar në vitet e kaluara është ndër më të ulëtat që ka ndodhur. Kurti nuk e di prej nga i ka marrë statistikat,” tha Hamza në RTV21.
“Ngulfatja e njerëzve që, përveç përkatësisë politike, u mungon dije, njohje dhe vizion për zhvillimin e shtetit, ka sjellë rezultate minimale. Çdo arritje e gëzoj, por në raport me mundësitë ka shumë pak rezultate. Në shëndetësi nuk ka përmirësim, nuk ka përmirësim në arsim, nuk ka investime kapitale dhe nuk janë përfunduar as projektet e nisura,” tha Hamza.






