“Kosova nuk mund të vazhdojë kështu, me përçarje dhe institucione jofunksionale. Kosovës i duhet një qeveri e përgjegjshme, që sjell rezultate e jo vetëm zhurmë. I duhet një qeveri që nuk e polarizon shoqërinë, por punon për të”.
“Për të gjithë ne, Kosova duhet të jetë gjithmonë e para”.
Kështu është shprehur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një emision televiziv.
Ai ka kërkuar që të gjitha partitë politike duhet të bëhen bashkë për një prioritet, e që është shteti i Kosovës.
“Në mozaikun politik të Kosovës, për ta plotësuar e kompletuar, diçka po mungon. Po mungon një qeveri dhe një kryeministër që është përbashkues. Nuk nënkupton kjo që ne të shkrihemi të gjithë në një parti politike, të bëhemi bashkë në një parti politike, por të jemi të partive të ndryshme politike, të kemi edhe mendime ndryshe për tema ndryshe, por të kemi një prioritet të përbashkët, e që është Kosova”.
“Nëse ne e vendosim shtetin e Kosovës si prioritetin kryesor, e pastaj interesin e partive politike nën interesin shtetëror, atëherë është më lehtë me e plotësu mozaikun”, deklaroi Hamza në “Debat Plus”.
Ndër të tjera, ai tha se qeveria aktuale ka krijuar polarizim shoqëror gjë e cila, sipas tij, ka sjellë edhe mungesë të stabilitetit politik.
Sipas tij, këto bëjnë që të mos ketë edhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Hamza tha se çmimet gjatë kësaj qeverisje janë rritur, kostoja e jetesës është rritur për 40-50%, e edhe mbi 100%.
“Të ardhurat nuk kanë arritur të përcjellin rritjen e çmimeve dhe si rezultat e kemi përkeqësimin e standardit të jetesës, mungesën e perspektivës, mungesën e optimizmit në shoqëri. Ne e dimë se kur ka mungesë të optimizmit në shoqëri i ndikon edhe investimet. Deficiti tregtar është përkeqësuar, është mbi 50% e bruto produktit vendor. Jemi shndërruar në një ekonomi që kryesisht varemi prej importit”, theksoi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.






