Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka folur rreth ikjes së madhe të qytetarëve nga Kosova.
I pari i PDK-së tha se Kosova rrezikohet më së shumti nga faktori demografik, pra nga shpopullimi i saj, teksa tregoi edhe planin e partisë së tij për të rinjtë kosovarë.
“Kosova rrezikun më të madh e ka nga faktori demografik. Nëse Kosova shpopullohet, vazhdon ky emigracion, ne humbim resursin kryesor, që është resursi njerëzor. Aseti më i madh i Kosovës janë njerëzit. Ne duhet të krijojmë kushte që ata njerëz të shohin perspektiven në Kosovë, jo me pa shpëtim vetëm emigrimin”, tha Hamza në Klan Kosova.
“Me kriju kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, njerëzit me u zhvillu në Kosovë, sektori privat me u zhvillu, njerëzit me ide me u përkrah, me u hap vende të reja pune”, u shpreh ai, rreth planit të PDK-së për të rinjtë.
Por, Hamza foli edhe rreth premtimeve të tjera të tij, dhe çka bën ai për t’i përmbushur po të njëjtat.
“E di saktë premtimet çfarë kosto kanë, qysh mobilizohen paratë, kah sigurohen paratë dhe kur realizohen. Prandaj e mati fjalën përderisa e them publikisht, por kur e them publikisht qëndroj mbrapa saj”, u shpreh Hamza.
Ai tha se për fjalë të dhënë, do të shkonte deri në fund, edhe përtej kostos.






