Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi në “Pressing” se vendimi i Memli Krasniqit për të dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit ka qenë “ekskluzivisht i tij” dhe se ai nuk i kishte kërkuar një gjë të tillë.
Hamza shtoi se thirrja e Konventës është bërë në përputhje të plotë me statutin dhe rregulloret e brendshme të partisë.
“Nuk ka qenë kërkesë nga ana ime. Nuk kemi arritur që seriozisht të diskutojmë çështjen kryeministër–kryetar. Vendimi ka qenë ekskluzivisht i Krasniqit, i cili e ka marrë këtë hap të përgjegjshëm mbi bazën e analizës së tij. Ai e mori vendimin. Nuk është se është pritur lehtë prej nesh, por e kemi respektuar. Kryesia dhe unë kemi vendosur të thërrasim Konventë – jo të ketë një ushtrues detyre të kryetarit apo diçka të ngjashme, por të mblidhet Konventa. Ajo është thirrur në përputhje me statutin dhe rregulloret e brendshme të partisë,” – tha Hamza.






