Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë se institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Hamza ka falenderuar qytetarët që i dhanë PDK-së 196 mijë vota.
Tutje ai ka shtuar se është përgjegjësi e tyre t’i respektojnë afatet ligjore dhe të jenë transparentë.
Postimi i plotë:
Procesi zgjedhor po shkon drejt fundit dhe ditëve të ardhshme presim të certifikohen edhe rezultatet zgjedhore.
Deputetëve të zgjedhur të të gjitha subjekteve politike iu dëshiroj suksese në punën e tyre. Nga mandatet e fituara buron edhe detyra e shenjtë për t’iu shërbyer me ndershmëri dhe përgjegjësi atyre që besuan te secili i zgjedhur.
Faleminderit mbi 196 mijë qytetarëve që besuan te Partia Demokratike e Kosovës. Faleminderit për mbështetjen që na e keni dhënë për ta bërë Kosovën më të mirë!
Institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa dhe është përgjegjësi e jona t’i respektojmë afatet ligjore dhe të jemi transparentë.
Së bashku duhet t’i mbrojmë vlerat që na bashkojnë, interesin publik dhe vendin tonë!